Ziguratat ishin tempuj prej tullash argjile, të ndërtuar për të lidhur qiellin me tokën. Për mijëra vjet, ato ishin në qendër të fesë, pushtetit dhe arkitekturës në Lindjen e Afërt të lashtë.
Një zigurat (ose ziqqurat) ishte një ndërtim i ngritur me katër anë të pjerrëta, në formë piramide me shkallë. Këto ndërtesa monumentale ishin shumë të përhapura në Mesopotaminë e lashtë, afërsisht në territorin e Irakut të sotëm, nga rreth viti 4000 deri në vitin 500 para erës sonë.
Ndryshe nga piramidat e Egjiptit, ziguratat nuk përdoreshin si varre mbretërore. Ato shërbenin si tempuj të kushtuar zotit mbrojtës të një qyteti.
Si ndërtoheshin?
Meqë guri ishte i rrallë në Mesopotami, ndërtuesit përdornin kryesisht tulla argjile të thara në diell. Shpesh ato mbuloheshin me gur gëlqeror dhe bitum, një lëndë ngjitëse e ngjashme me katranin, për t’i bërë më të qëndrueshme.
Muret e jashtme zakonisht zbukuroheshin me motive të gdhendura dhe lyheshin me shtresa gëlqereje ose gipsi. Shumë zigurata kishin edhe ngjyra të ndryshme, duke u dhënë një pamje mbresëlënëse.
Ato nuk kishin dhoma të brendshme. Shenjtërorja ndodhej në majë të ndërtimit, aty ku besohej se banonte Zoti. Ajo arrihej me shkallë dhe shihej si pikë takimi mes qiellit dhe tokës.
Ziguratat ngriheshin mbi qytetet e Mesopotamisë së lashtë dhe zakonisht ndërtoheshin pranë pallatit ose tempullit kryesor, për të theksuar rolin e Zotit në mbështetjen e mbretit.
Nga ziggurati i Anutit te Tempulli i Bardhë
Ziggurati i Anutit, më i vjetri i njohur, u ndërtua në Uruk (Warka e sotme, rreth 250 km në jug të Bagdadit) nga sumerët rreth vitit 4000 p.e.s. Ai i kushtohej Anutit, Zotit të qiellit.
Mes viteve 3500 dhe 3000 p.e.s., mbi të u ndërtua i ashtuquajturi Tempulli i Bardhë. Ky tempull, rreth 12 metra i lartë, ishte i lyher plotësisht me të bardhë dhe shkëlqente fort në diell.
Pas sumerëve erdhën perandoritë akadiane, babilonase dhe asiriane, por ndërtimi i zigurateve vazhdoi. Fjala “ziggurat” vjen nga folja akadiane zaqâru, që do të thotë “të ndërtosh lart”.
Zigurata të tjera të famshme
Mbretërit asirianë ndërtuan një ziggurat të madh në Nimrud, kushtuar zotit të luftës dhe fitores, Ninurtës. Babai i tij, Enlili, adhurohej në ziguratin e qytetit të shenjtë Nippur.
Mbreti babilonas Nebukadnezari II i kushtoi ziguratin e Etemenankit zotit Marduk. Emri i tij do të thotë “Tempulli i themelit të qiellit dhe tokës”.
Etemenanki besohet se frymëzoi historinë biblike të Kullës së Babelit, ku përmendet një kullë prej tullash argjile që synonte të arrinte qiellin. Sipas Biblës, Zoti e ndëshkoi këtë akt krenarie duke i shpërndarë njerëzit dhe duke u dhënë gjuhë të ndryshme.
Mirëmbajtje e vazhdueshme
Meqë tullat e argjilës nuk ishin shumë të qëndrueshme, ziguratat kishin nevojë për rindërtim të shpeshtë. Etemenanki u rindërtua disa herë, derisa Aleksandri i Madh urdhëroi shkatërrimin e tij në vitin 323 p.e.s., me qëllim rindërtimin nga e para. Por vdekja e tij e parakohshme e la projektin të papërfunduar.
Zigurata më e ruajtur sot është ajo e Urit, ndërtuar rreth vitit 2100 p.e.s. dhe kushtuar zotit të hënës, Nanna. Një tjetër shembull është zigurati i Chogha Zanbilit në Iran, i ndërtuar rreth vitit 1250 p.e.s.
Ndikimi në arkitekturë
Ziguratat ndikuan arkitekturën edhe shumë shekuj më vonë, përfshirë ndërtesat me shkallë të epokës art deco në shekullin XX. Madje, nëse shikon me kujdes, forma e disa rrokaqiejve modernë, si Empire State Building, mbart ende gjurmë të këtij dizajni të lashtë.
Këto shembuj modernë na kujtojnë se një stil ndërtimi i lindur mbi 6 mijë vjet më parë në Lindjen e Mesme vazhdon të jetojë edhe sot.







