Qeveria në detyrë ka marrë vendim të ndajë nga 100 euro për fëmijët, pensionistët, studentët aktiv dhe punëtorët në sektorët privat.
Mbështetja prej 100 euro për pensionistët dhe fëmijët do të ekzekutohet në fillim të javës së ardhshme, ndërkaq për studentët dhe punëtorët e sektorit privat pritet të hapet aplikimi javën e ardhshme.
Mbështetja prej 100 eurove për punëtorët e sektorit privat dhe atë publik e që nuk paguhen nga buxheti i shtetit vlen për ata punëtorë me të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro.
Ndërsa, mbështetja për studentët vlen për ata aktiv dhe të rregullt në vitin akademik 2025-2026.
“Mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale sipas listës së pagesave të muajit maj të këtij viti, për mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët që janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë.
Për të gjithë të punësuarit të deklaruar në muajin prill me të ardhura mujore më pak se një mijë euro që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, pra sektori privat dhe sektori publik por që është jashtë organizatave buxhetore, përfshihen shoqëria civile por edhe ndërmarrjet publike dhe organizata të tjera që nuk marrin pagë nga buxheti. Si dhe mbështetje edhe për të gjithë studentët aktiv dhe të rregullt në vitin akademik 2025-26 në institucionet të arsimit të lartë në Kosovë që përmbushin kriteret”, tha Murati.





