Aktakuzë ndaj tre të dyshuarve në Ferizaj për mashtrim me kriptovaluta, dyshohet se morën 12 mijë euro nga viktimat

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave me inicialet A.L., R.J. dhe V.N., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, rasti kryesor ka ndodhur më 17 prill 2026 në Ferizaj, në rrugën “Cen Dugolli”, ku të pandehurit dyshohet se, duke përdorur emra të rremë dhe paraqitje të rreme të fakteve, i kanë vënë në lajthim të dëmtuarit E.F., A.F. dhe Rr.K., duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital (“wallet”).

Prokuroria thotë se të dyshuarit, për realizimin e skemës, fillimisht kanë siguruar një lokal me qira dhe kanë caktuar takim me të dëmtuarit, ku më pas kanë arritur t’ua marrin shumën prej 12 mijë euro.

Sipas përshkrimit në aktakuzë, paratë dyshohet se i kanë futur në një çantë të gjelbër dhe i kanë vendosur në një dollap brenda lokalit, ndërsa në dollap thuhet se ishte hapur paraprakisht një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës dyshohet se i kanë marrë paratë pa dijeninë e të dëmtuarve dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Në njoftim thuhet se pas veprimeve operative të Njësisë së Hetimeve është konstatuar se të pandehurit, duke përdorur skemë të ngjashme, kanë tentuar të organizojnë edhe një transaksion tjetër fiktiv të kriptovalutave në Kaçanik, në rrugën “Ismail Reka”, duke ofruar transfer të USDT-së në vlerë prej 50 mijë euro dhe duke siguruar sërish një lokal me qira për takimin me personat e interesuar.

Po ashtu, prokuroria njofton se ndaj të pandehurve A.L. dhe R.J. aktakuza përfshin edhe një rast tjetër të dyshuar të mashtrimit, që sipas saj ka ndodhur më 18 gusht 2024 në Ferizaj, në rrugën “Agim Prodani”. Sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë kontaktuar të dëmtuarin G.A. përmes aplikacioneve “Telegram”, “Viber” dhe “WhatsApp”, duke u paraqitur se posedojnë USDT dhe do ta bënin transferin përmes “wallet”. Më pas, sipas prokurorisë, janë takuar me të dëmtuarin dhe i kanë marrë 2 mijë euro, ndërsa janë larguar duke vrapuar, pa e kryer transferin e premtuar.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA