Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve A.K., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dhe ndaj B.C., për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K., me datë 22 dhjetor të vitit të kaluar, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga i pandehuri B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete.
I njëjti, dyshohet se duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, i ka mundësuar B.C., hyrjen në Kosovë, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja nga Policia e Kosovës për mungesë dokumentacioni.
Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me veturën e tij, bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren, transmeton Klankosova.tv.
“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, ka propozuar që të pandehurit A.K., përveç dënimit kryesor, t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”.






