Përgatiti: Nora Luta
Në Kosovë kur ishte në shtator, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës qëndroi vetëm dy ditë, dhe zhvilloi takime me zyrtarë institucionalë përfshirë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Një muaj e gjysmë pas, Ekaterina Trendafilova zgjodhi të mbajë takime online me gazetarë dhe shoqërinë civile.
Të martën gjatë një konference për media, Trendafilova u shpreh e bindur që administrata e re e ShBA-së nuk do të përfshihet në punën e Gjykatës Speciale.
“Askush asnjëherë nuk ka provuar të ndërhyjë në punën tonë. Kjo mund të bëhet vetëm me njoftim paraprak nga Këshilli Evropian. SHBA-ja njihet si një nga vendet që promovon sundimin e ligjit dhe nuk besoj që ata do të përfshihen në diçka që ka të bëjë me Dhomat e Specializuara. Puna jonë ndërpritet vetëm me njoftim nga Këshilli i Bashkimit Evropian që rastet kanë përfunduar, e hetimet janë kryer”, tha Trendafilova.
Trendafilova, e cila foli kryesisht për rastet aktuale që janë duke u zhvilluar në këtë Gjykatë, pasi u pyet rreth transparencës, tha se redaktimet po përdoren për t’i mbrojtur dëshmitarët.
Vetëm muajin e fundit janë dëgjuar dy dëshmitarë në seanca të mbyllura krejtësisht për publikun.
“Mos harroni se kur dëshmitarët japin dëshmi, ata japin në prezencën e atyre që janë të akuzuar. Mbrojtja ka ekipe të gjera të mbrojtjes. Nuk ka asgjë që bëhet prapa skenave, në errësirë, por para gjyqtarëve dhe në prezencën e të gjithë palëve. Ka njerëz që mund të ballafaqohen me humbjen e jetës së tyre”, tha Trendafilova.
Ndërkohë, kur u pyet se kur ka mundur të dëshmojë Enver Sekiraqa, Trendafilova e mohoi një gjë të tillë.
“Unë e pranoj çdo parashtresë dhe emrin e tij nuk e kam parë asnjëherë”, tha Trendafilova.
Udhëheqësja e Gjykatës Speciale ndër të tjera theksoi se gjyqtarët do të jenë të pamëshirshëm ndaj çdo prove që nuk i plotëson standardet.
Trendafilova ka paralajmëruar vizitë në Kosovë, në pjesën e parë të vitit 2025.