Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja, ka thënë se shumë persona nuk e kanë kuptuar mirë rregulloren që pritet të hyjë në fuqi nga nesër, e që me anë të saj ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.
Në një intervistë për REL-in, Nurboja ka thënë se kërkesë e ambasadave të QUINT-it ka qenë pezullimi i saj, por sipas tij më pas e kanë kuptuar se rregullorja është në të drejtën e BQK-së dhe kërkesa është ndërruar në shtyrje të zbatimit.
“Faktikisht, në fillim, është parë se shumë njerëz nuk e kanë kuptuar mirë rregulloren dhe kërkesë e ambasadave të QUINIT-it ka qenë pezullimi i saj. Por, pas informimit të duhur e kanë kuptuar se rregullorja është në të drejtën e BQK-së dhe në të drejtën e rregullimit të institucioneve financiare dhe qarkullimit të parasë. Pasi e kanë pranuar këtë, ka ardhur kërkesa për shtyrjen e zbatimit.
Në përgjithësi, zbatimin e bëjnë institucionet e drejtësisë, nuk e bën BQK-ja.
Ne vetëm e kemi obligim ligjor ta rregullojmë sistemin financiar dhe e kemi bërë këtë rregullore si instrument shtesë për rregullimin e një çështjeje që ka mbetur e parregulluar për një kohë shumë të gjatë, e cila është interes shtetëror, e cila ka të bëjë me valutën. Është edhe e drejtë kushtetuese – Neni 11 e përmend që Kosova duhet ta ketë një valutë. Po ashtu, ka të bëjë me qarkullimin e parasë brenda vendit; është shumë me rëndësi për BQK-në që të dijë për qarkullimin e parasë, sepse është në mandatin e saj.
Kjo rregullore i rregullon këto dhe precizon edhe disa gjëra të ligjit… Tash, institucionet tjera, si Doganat, e fuqizojnë ligjin”, ka thënë Nurboja.