19 korriku ishte afati i fundit që Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka vendosur për konsumatorët t’i paguajnë borxhet në vlerë prej 45 milionë eurosh, borxh ky i akumuluar nga paslufta.
Gjatë aksionit për shkyçjen e furnizimit me ujë të pijshëm në lagjen Tophane të Prishtinës, hasën në familje me asistencë sociale të paralajmëruara më parë, andaj te disa shkyçja nuk u realizua.
“Kemi filluar pikërisht në Tophane ku shuma e borxhit është mjaft e madhe, kësaj familje nuk ua shkyçim për shkak se qenkan me asistencë sociale, mirëpo nuk janë paraqitur te ne”, tha Arjeta Mjeku nga kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina”.
Por, ujësjellësit telashe i doli me Idriz Cërvadikun, banor i Tophanes, i cili fajësoi kompaninë për mosverifikim të saktë të borxhit.
Megjithatë, shkyçje pati edhe ndaj bizneseve.
Zëdhënësja e KRU-së, Arjeta Mjeku, paralajmëroi se shkyçjet do të jenë intensive.
“Do ta vazhdojmë aksionin edhe për ditë me radhë te të gjithë ata që nuk i kanë paguar borxhet”, tha Mjeku.
Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon kompania, Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: