Përgatiti: Armand Hoti
Në procesin e regjistrimit të popullsisë, që do të fillojë më 5 prill, do të përfshihet edhe diaspora kosovare.
Agjencia e Statistikave, të dhënat për bashkatdhetarët do t’i marrë nga familjarët e tyre të cilët banojnë në Kosovë, përmes një pyetësori të veçantë, i cili nuk është publikuar ende.
“Të gjithë pyetësorët do të bëhen publikë, sipas planit të aktivitete që ka ASK-ja. Për këtë do të njoftoheni me kohë. Regjistrimi i diasporës do të bëhet përmes një Pyetësori të veçantë (S1 – Pyetësori për anëtarët e ekonomisë familjare të cilët jetojnë jashtë vendit)”, thuhet në njoftimin ASK-së.
Mirëpo, Kenan Gashi nga rrjeti i OJQ-ve AVONET, dyshon në efikasitetin e kësaj metode.
“Kjo i jep mundësi të manipulimit, në të njëjtën kohë të mosregjistrimit të mirë dhe të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, e sidomos atyre që nuk jetojnë në Kosovë. Fakti qëndron aty kur nëpër zonat rurale mund të identifikohen më lehtë, por problemi qëndron aty te zonat më urbane”, tha Gashi.
Ndërkohë, Lirim Krasniqi nga organizata GERMIN, nuk e komenton mënyrën e regjistrimit, mirëpo thotë se mbledhja e të dhënave për diasporën, është proces pozitiv.
“Regjistrimi i atyre që janë jashtë vendit do të ndihmojë në procese më të mira politikëbërëse, sepse do të dihet saktë numri i qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës”, tha Krasniqi.
Të hënën, ASK-ja njoftoi se tashmë ka filluar shpërndarja e pajisjeve dhe materialeve për regjistrimin e popullsisë në të gjitha komunat e Kosovës.
Për ta përmbyllur këtë proces, do të angazhohen gjithsej 3400 punonjës, 2500 prej tyre si regjistrues dhe 900 të tjerë si mbikëqyrës.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: