Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për procesin zgjedhor të së dielës.
Ai është pyetur edhe për humbjen e PDK-së në Drenas, ku fitues doli Ramiz Lladrovci. Këtij të fundit, Krasniqi ia uroi fitoren, por tha se humbja në këtë komunë u ka lënë “shije të hidhur”.
“Asnjëra parti politike në këtë proces, e as ne si PDK, nuk i arritëm objektivat e plota në këtë garë zgjedhore. Natyrisht, na la një shije të hidhur humbja në Drenas. Kryetarit të zgjedhur ia uroj fitoren dhe shpresoj që do të punojë në të mirën e qytetarëve të komunës. Më vjen keq që edhe në këtë garë lokale, qytetarët e Drenasit u vendosën në një pozitë të vështirë,” ka deklaruar ai.
“Me sa e kam kuptuar, zoti Lladrvoci do të kthehet në zyrat ku ka qenë më herët. Por zyrat e PDK-së janë aty ku është kryesia legjitime e saj. Mendoj që gara atje ka përfunduar, ndërsa fokusi ynë tani është në balotazh,” ka shtuar Krasniqi.