spot_imgspot_img
spot_img

KQZ kundërpërgjigjet ndaj akuzave të Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u është kundërpërgjigjur akuzave të bëra nga Lista Serbe lidhur me përbërjen e këshillave të vendvotimeve dhe për listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Më herët gjatë 8 shtatorit, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit – e akuzoi KQZ-në për “manipulim politik” për shkak të përbërjes, siç tha “të pabarabartë” të këshillave të vendvotimeve për numërimin e votave për zgjedhjet lokale.

“KQZ sqaron se vendimi për përcaktimin e formulës për përbërjen e këshillave të vendvotimit që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, është i mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregulloret zgjedhore. Në këtë proces zgjedhor, ashtu si në të kaluarën, KQZ ka ndjekur edhe parimin e gjithëpërfshirjes, duke krijuar hapësirë përfaqësimi edhe për subjektet e reja politike, si iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur. Përgjigjet e detajuara për formulën e përbërjes së këshillave të vendvotimit, KQZ do t’i dërgojë brenda afatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa [PZAP]”, u tha në reagimin e KQZ-së të lëshuar mbrëmjen e së hënës.

Lista Serbe tha se i është drejtuar me ankesë PZAP për këtë çështje.

Ky subjekt pretendoi se KQZ-ja i ka shkaktuar dëm kësaj partie edhe sa i përket përbërjes të këshillave të vendvotimeve.

“Në komunën e Novobërdës ka 23 vendvotime. Lista Serbe në zgjedhjet parlamentare fitoi 60 për qind të votave, por ne nuk kemi asnjë kryesues në vendvotim [në këtë komunë]. Dhe jo vetëm kaq, na mungojnë nëntë anëtarë të këshillave të vendovotimeve, që do të thotë se në nëntë klasa Lista Serbe nuk do të mund të kontrollojë këtë proces zgjedhor”, tha zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë një konference për media.

Si shembull të “shkeljes së ligjit” dhe të ashtuquajturit “manipulim politik”, Lista Serbe përmendi edhe komunën e Parteshit, ku kjo parti tha se ka vetëm një kryesues në një nga shtatë vendvotimet, edhe pse, siç tha Simiq, në zgjedhjet parlamentare kishte fituar afërsisht 90 për qind të votave.

Kjo po ashtu pati kritika për listën zgjedhore në komunat me shumicë serbe. Simiq tha se krahasuar me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të këtij viti, është vërejtur një numër më i vogël i votuesve në disa komuna, veçanërisht në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut.

Lidhur me këto kritika të Listës Serbe, KQZ-ja tha se të gjitha veprimet e bëra për krijimin e listës së votuesve për zgjedhjet lokale dhe pastrimin e listës nga emrat e personave të vdekur janë bërë në mënyrë transparente dhe në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

“Zvogëlimi i listës së votuesve prej 6.770 votuesve, krahasuar me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, është i shprehur në 30 komuna të Republikës së Kosovës dhe nuk ndodh vetëm në ndonjë komunë të caktuar. Ndërkaq, në tetë komuna të tjera numri i votuesve është më i lartë në krahasim me zgjedhjet e kaluara dhe këto ndryshime vijnë për shkak të aktivizimit të sistemit të adresave nga Agjencia për Regjistrimin Civil. Ky proces ka reflektuar natyrshëm në caktimin e qendrës së votimit sipas adresës së banimit të secilit qytetar”, tha KQZ-ja.

Sipas pretendimeve të Simiqit, në Leposaviq në listën e votuesve janë rreth 1.500 më pak votues, ndërsa në Mitrovicën e Veriut rreth 1.200.

“Arritëm të konstatojmë se votuesit në Mitrovicën e Veriut janë fshirë nga qendra e votimit në shkollën fillore ‘Sveti Sava’, ku votojnë qytetarët serbë. Ky është një numër i madh votuesish që mund të ndikojë në mënyrë drastike në rezultatet e zgjedhjeve si për asamblistë, ashtu edhe për kryetar komune”, deklaroi Simiq.

Ai shtoi se në komunën e Graçanicës, afër Prishtinës, është “rritur në mënyrë drastike” numri i votuesve, përkatësisht se ka mbi 2.000 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

Lidhur me përbërjen e këshillave të vendvotimeve, Lista Serbe kishte pasur pakënaqësi edhe para zgjedhjeve të shkurtit, duke e akuzuar KQZ-në se i kishte shkaktuar dëm, pasi në shumë komuna nuk kishte anëtarë “për të kontrolluar ligjshmërinë, legjitimitetin dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës më 6 shtator konfirmoi listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas së cilës do të kenë të drejtë vote 2.069.098 persona.

“Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 2.025.105 votues, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë jashtë Kosovës është 43.993 votues”, u tha në njoftim.

KQZ gjithashtu bëri të ditur se për zgjedhjet lokale do të hapen 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

Moti i ditës – Çfarë na pret sot?

Andre Onana huazohet tek Trabzonspor

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA