Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të mbajtur të mërkurën, u prezantua raporti mbi dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës, të cilët do të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale përmes postës.
Drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se raporti përmban të dhënat e plota mbi numrin e zarfeve të dërguara.
“Raporti shpjegon gjithë procesin që është realizuar. Është paraqitur edhe të dhënat e përgjithshme në lidhje me numrin e zarfeve që ka pranuar Posta e Kosovës nga KQZ”, tha ai.
Sipas raportit, përmes postës janë nisur rreth 44,000 pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete. Nga ky numër, 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës, ndërsa 2,050 të tjera janë dërguar përmes postës së shpejtë.
Çdo zarf përmban fletëvotimet, zarfin e fshehtësisë, udhëzuesin mbi mënyrën e plotësimit dhe dorëzimit të votës përmes postës, si dhe zarfin kthyes me shiritin mbyllës.
Votuesit jashtë Kosovës janë të detyruar të depozitojnë pakot në njërën nga kutitë postare të KQZ-së. Shumica e zarfeve kanë adresën e kutisë postare të shënuar paraprakisht nga KQZ. Në rast se kjo nuk është bërë, votuesi duhet të shënojë një nga adresat e kutive postare të KQZ-së në shtetin përkatës.
Periudha e votimit me postë ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, dhe përfshin vetëm 43,933 shtetas të regjistruar jashtë Kosovës.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, KQZ ka miratuar akreditimin e 18,041 vëzhguesve nga 51 subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.