9.7 C
Pristina
Thursday, March 19, 2026

KPK-ja kërkon rritje të buxhetit, po përballet me vështirësi financiare

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) po përballet me vështirësi financiare për shkak të mungesës së buxhetit.

Kjo u bë e ditur sot në mbledhjen e Këshillit, derisa drejtuesit e këtij institucioni thanë se është e nevojshme rritja e tij.

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, ka deklaruar se tash e sa kohë po përballen me këto vështirësi duke kërkuar që kjo çështje të përfshihet në rregullore.

“Ndaj, në këtë pjesë kur po flasim edhe sa i përket shtesave të kujdestarive për Prokuror të Shtetit, ne kemi mungesë të buxhetit, ashtu siç jeni të njoftuar pothuajse vazhdimisht ky këshilli edhe këshilli paraprak edhe ky tani. Përfshirja e komisioneve apo pagesat e komisioneve edhe unë e vlerësoj që duhet të paguhen, mirëpo hendikep mbetet çështja e buxhetit. Prandaj, në një situatë të tillë jemi duke u ballafaquar tash sa kohë me këtë vështirësi, në qoftë se ne na prek sa i përket pagesave për anëtarë të komisioneve apo sekretarë të komisioneve, atëherë është mirë të njoftoheni tani që mungesa buxhetore është shumë e theksuar, jo vetëm në këtë kategori, por edhe në kategori të tjera. Kështu që, kjo mund të përfshihet në rregullore, por sa do të mund të zbatohet është situatë që mund të diskutohet tutje në qoftë se kemi buxhet shtesë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Istrefi.

Ndërsa, me katër vota për, asnjë kundër dhe një abstenim është miratuar Rregullorja për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës(KPK-së) dhe shtojca A me ndryshimet e propozuara në takimin e 290-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kurse nuk është miratuar propozimi për pagesën prej 100 eurove ndaj sekretarëve të komisionit të përhershëm të këshillit për aktivitetet e tyre, raporton Ekonomia Online.

Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi prezantoi përmbajtjen e kësaj rregullore.

“Fillimisht po referoj rregulloren për organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kjo rregullore ka kaluar të gjitha filtrat proceduralë; ajo është shqyrtuar nga Komisioni për Çështje Normative dhe pastaj ka kaluar edhe fazën e dëgjimit publik, ku të njëjtës i janë nënshtruar edhe komentet përkatëse dhe janë përcjellë natyrisht te Komisioni për Çështje Normative. Struktura dhe Përmbajtja: Kjo rregullore është e strukturuar në shtatë kapituj dhe përmban gjithsej 40 nene, në të cilat përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit, zëvendëskryesuesit, Komisionit të këshillit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit. Gjithashtu, përcaktohen çështjet që lidhen me mbajtjen e takimeve dhe aktiviteteve të Këshillit. E njëjta përfshin edhe një shtojcë, në të cilën përcaktohen detyrat e punës dhe kriteret për kabinetin e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, së bashku me një organogram. Rregullorja ka qenë e një natyre urgjente me qëllim të harmonizimit të drejtpërdrejtë me ligjin për plotësim-ndryshimin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Prandaj, edhe kjo rregullore (si të tri rregulloret e tjera) kanë qenë të natyrës urgjente në mënyrë që: Të fillojë puna e Këshillit Prokurorial dhe të funksionalizohen komisionet përkatëse (komisionet e përhershme)“, tha Vuniqi.

Vuniqi gjithashtu propozoi që në kuadër të kësaj pike të shtohet pagesa prej 100 eurove për  sekretarët e komisionit të përhershëm.

“Propozimi im i parë është që nenit 17 të kësaj rregulloreje t’i shtohen dy paragrafë, rrjedhimisht paragrafi 6 dhe 7 me tekstin si në vijim: Paragrafi 6 t’i shtohet: Anëtarët e komisionit të përhershëm do të kompensohen për punën e tyre në komision sipas rregullores përkatëse për kompenzim. Si dhe paragrafi 7: Sekretarët e komisioneve të përhershme të Këshillit të kompensohen me 100 euro në muaj për aktivitetin e tyre në komision. Si dhe te shtojca A, propozimi i radhës, lidhur me kabinetin e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, të plotësohet-ndryshohet pjesa e kritereve të kërkuara mbi bazën e dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë, rrjedhimisht nenit 9, ku sipas këtyre dispozitave, sa i përket kategorisë së zyrtarit publik, zyrtarit të kabinetit, ligji nuk parasheh kriteve të detyrueshme për përvojën dhe emërimin, por e citon që emërimi mund të bëhet drejtpërdrejt nga titullari i kabinetit në bazë të vlerësimit të tij, pa qenë e nevojshme plotësimi i kushteve të përputhshme dhe të përcaktuara për zyrtarët publikë”, tha ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA