Liderët shtetërorë dhe politikë të Kosovës kanë uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Presidentja Vjosa Osmani, në një postim në Facebook, ka theksuar se urimi vjen “nga populli më pro-amerikan në botë”, duke nënvizuar lidhjet historike dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përgëzuar presidentin dhe popullin amerikan, duke e cilësuar miqësinë me Amerikën si një shtyllë të rëndësishme në ruajtjen e paqes, mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe përpjekjeve të përbashkëta për demokraci dhe liri.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vlerësuar SHBA-në si “shtyllën e lirisë së Kosovës” dhe një mik të përhershëm që ishte pranë vendit në ditët më të vështira.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar miqësinë me Amerikën si një themel historik dhe vizion politik të pandryshueshëm për shtetin e Kosovës.
Urim për këtë ditë ka përcjellë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka theksuar se SHBA është aleate historike dhe mike e pazëvendësueshme për popullin e Kosovës.
Ndërkohë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka kujtuar kontributin e Shteteve të Bashkuara si një nga 33 shtetet pjesëmarrëse me trupa në kuadër të këtij misioni paqeruajtës, duke theksuar rolin e tyre kyç në ruajtjen e stabilitetit në vend.
Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara festohet më 4 korrik në përkujtim të ratifikimit të Deklaratës së Pavarësisë më 1776, që shënoi lindjen e një shteti të ri demokratik.
Tradicionalisht, kjo ditë kremtohet me parada, tubime publike dhe fishekzjarrë në të gjithë vendin.