Kombëtarja e Kosovës U20 në konkurrencën e meshkujve ka mësuar kundërshtarët e saj në fazën e grupeve të FIBA U20 EuroBasket 2026, Divizioni B, pas shortit të hedhur për turneun që do të zhvillohet në Bratislavë të Sllovakisë.
“Dardanët” e rinj janë pozicionuar në Grupin C, ku i presin përballje të forta ndaj Portugalisë, Bosnjë e Hercegovinës, Islandës, Armenisë dhe Qipros, në garën për një vend në fazën tjetër të kampionatit.
Evropiani do të zhvillohet nga 10 deri më 19 korrik, ndërsa në Bratislavë do të mblidhen disa nga talentet më premtues të basketbollit evropian, të cilët do të luftojnë për promovimin në Divizionin A.
Kosova e nis këtë edicion me synimin për të bërë paraqitje sa më dinjitoze dhe për të konkurruar në nivel të lartë ndaj kundërshtarëve të grupit. Federata e Basketbollit e Kosovës dhe stafi teknik shpresojnë që brezi aktual të konfirmojë potencialin e tij dhe të sjellë rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare.
Për “Dardanët” e rinj, EuroBasket U20 do të jetë një mundësi e rëndësishme për të fituar përvojë në nivel kontinental, por edhe për të dëshmuar cilësitë e tyre përballë disa prej përfaqësueseve më konkurruese të Divizionit B.





