Egjipti nuk pajtohet me eliminimin, dërgon ankesë zyrtare në FIFA dhe kërkon pezullimin e gjyqtarit Letexier

Federata Egjiptiane e Futbollit ka reaguar ashpër pas eliminimit dramatik nga Argjentina në fazën e 1/8-tës së Kupës së Botës 2026, duke dorëzuar një ankesë zyrtare në FIFA për arbitrimin e sfidës që përfundoi me fitoren 3-2 të argjentinasve.

Sipas raportimeve të RMC Sport dhe TyC Sports, drejtuesit e futbollit egjiptian janë të bindur se skuadra e tyre u dëmtua nga vendime të rënda të arbitrave dhe kanë kërkuar nisjen e një hetimi të menjëhershëm, si dhe masa disiplinore ndaj trupës gjykuese.

Në qendër të kritikave është arbitri francez François Letexier, për të cilin Egjipti kërkon pezullim deri në përfundim të Botërorit, së bashku me asistentët e tij.

Në ankesën e paraqitur në FIFA, egjiptianët theksojnë dy momente që, sipas tyre, ndikuan drejtpërdrejt në fatin e ndeshjes.

I pari lidhet me golin e shënuar nga Mostafa Ziko në minutën e 58-të, i cili do t’i jepte Egjiptit epërsinë 2-0. Gjyqtari e anuloi realizimin për një faull të pretenduar të Marëan Attia në nisje të aksionit, vendim që pala egjiptiane e cilëson të pabazuar.

Momenti i dytë ka të bëjë me aksionin që parapriu golin e tretë dhe vendimtar të Argjentinës, të realizuar nga Enzo Fernández. Sipas Egjiptit, Mohamed Salah u pengua në mënyrë të parregullt, por arbitri nuk akordoi penallti, ndërsa VAR-i nuk ndërhyri për ta rishikuar situatën.

Eliminimi i Egjiptit ka ndezur debat të madh në opinionin sportiv, me shumë diskutime rreth rolit të arbitrimit në një nga ndeshjet më dramatike të këtij Botërori.

Tashmë topi është në fushën e FIFA-s, e cila pritet të shqyrtojë ankesën dhe të vendosë nëse do të ndërmarrë masa ndaj gjyqtarit Letexier dhe ekipit të tij apo do t’i konsiderojë vendimet e marra si pjesë e interpretimit të lojës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA