Kombëtarja e Kosovës në volejboll për vajza ka regjistruar fitoren e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
“Dardanet” kanë mposhtur Algjerinë me rezultat të pastër 3-0, në ndeshjen e dytë të Grupit B.
Kosova e nisi takimin në mënyrë të shkëlqyeshme, duke fituar setin e parë me rezultat 25-19. Dominimi i vajzave kosovare vazhdoi edhe në setin e dytë, ku ato nuk i dhanë shumë hapësirë kundërshtares dhe triumfuan bindshëm 25-10.
Në setin e tretë, Kosova vazhdoi me paraqitje të sigurt dhe e mbylli ndeshjen me rezultat 25-14, duke siguruar fitoren e parë në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare.
Kjo ishte ndeshja e dytë e Kosovës në Grupin B. Në debutim, “Dardanet” ishin mposhtur nga Greqia me rezultat 0-3.
Në Grupin B, përveç Kosovës dhe Algjerisë, bëjnë pjesë edhe Greqia dhe Maqedonia e Veriut.





