Përfaqësuesja e Kosovës në golf po përjeton një moment historik, pasi për herë të parë në histori po merr pjesë në një garë zyrtare të organizuar nga European Golf Association.
Sot kanë nisur ushtrimet zyrtare të European Team Shield Championship – Malta 2026, ku ekipi kosovar do të përfaqësojë vendin në një prej ngjarjeve të rëndësishme të golfit evropian.
Kosova do të prezantohet me katër lojtarë: Albin Arifi, Azer Bislimaj, Mërgim Gjinovci dhe Qëndrim Alija, të udhëhequr nga kapiteni Arif Arifi. Ekipi kosovar synon të japë maksimumin dhe të prezantojë denjësisht ngjyrat e Republikës së Kosovës në këtë debutim historik.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë kampionat është bërë e mundur falë mbështetjes së kompanisë Sent.dm, e cila ka marrë rolin e sponsorit të artë të ekipit, ndërsa përkrahje të rëndësishme ka dhënë edhe Ministria e Sportit, duke vazhduar mbështetjen për zhvillimin dhe afirmimin e sporteve të reja në vend.
Ky debutim përfaqëson një hap të madh për Federatën e Golfit të Kosovës, e cila po vazhdon punën për promovimin e golfit dhe përfshirjen e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
Me pjesëmarrjen në Malta 2026, Kosova nis një kapitull të ri në historinë e golfit të saj, duke synuar që kjo të jetë vetëm fillimi i paraqitjeve të saj në garat evropiane.





