Kosova prezanton ekipin për Lojërat Evropiane ‘23, Krasniqi: Jepini maksimumin

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë sot (e premte) prezantimin e garuesve të cilët do të përfaqësojë vendin tonë në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane Krakow dhe Malopolska 2023.

38 sportistë nga tetë sporte të ndryshme do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Evropiane 2023, raporton KosovaPress.

Atletika ka më së shumti garues me gjithsej 23 sosh, ndërsa boksi prin nga pas me shtatë garues. Kajakimi dhe sporti i teqball kanë nga dy garues, kurse me nga një sportist janë sportet si çiklizmi, shenjëtaria, shigjetaria dhe taekwondo.

Në këtë përbërje vërehet mungesa e sportit të xhudos, sport ky në të cilin në dy edicionet e kaluara Kosova fitoi katër medalje, dhe për këtë gjë presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha e se gjithë barra e suksesit mbetet te sportistët e sporteve të tjera.

“Në dy edicionet e kaluara të Lojërave Evropiane kemi lënë gjurmë, duke fituar katër medalje, të gjitha nga sporti i xhudos. Për fatin tonë të keq, këtë herë nuk e kemi xhudon, dhe në mungesë të tyre, barra e suksesit mbetet tek sportistët e sporteve tjera”, tha Krasniqi.

Më tej, Krasniqi tha se KOK-u ka mbështetur sportistët dhe trajnerët me përgatitjet, mbështetje kjo që vjen përmes bursave olimpike dhe shpresave olimpike, e që numri i tyre shkon në 57, si dhe si rrjedhojë e mbështetjes edhe për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Për fund, presidenti i KOK-ut kishte edhe një mesazh për sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra Evropiane 2023.

“Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës, kërkoj nga ju të jepni maksimumin, të përmirësoni rezultatet tuaja, dhe të shfaqni disiplinë të lartë gjatë garave dhe jo vetëm. Unë ju uroj fat dhe mbarësi gjatë garave, dhe bashkë do të rrugëtojmë drejt sukseseve tona”, tha Krasniqi.

Ndërsa boksierja Donjeta Sadiku, e cila njëkohësisht do të jetë bartëse e flamurit të Kosovës në LE 2023. Sadiku tha se përgatitjet kanë shkuar siç edhe janë planifikuar, dhe se synimi i saj është që të kthehet me medalje, të kualifikohet në Lojërat Olimpike Paris 2024, dhe që ta ngre flamurin e Kosovës në këto Lojëra Evropiane.

“Unë së bashku me trajneren time Marjola Sallauka jemi përgatitur maksimalisht që nga këto Lojëra të kthehemi me medalje si dhe me kualifikim për Paris 2024. Unë e di që nuk është aspak e lehtë, mirëpo për mu është e mundshme kjo që e thash, kështu që i qëndroj fjalës sime. Kam shumë punë për me bo në këto Lojëra Evropiane, kështu që iu uroj të gjithë sportistëve shumë suksese, ta prezantojmë vendin tonë denjësisht, unë personalisht do të kujdesem që ta përfaqësojë maksimalisht dhe ta ngris flamurin në këto Lojëra Evropiane”, tha Sadiku.

Po ashtu, fjalën e mori edhe drejtori gjeneral i Bankës Ekonomike Tregtare (BKT), Suat Bakkal i cili tha se do të vazhdojë mbështetja për sportistët dhe KOK-un sa më shumë, për dy vitet e ardhshme.

“Duam të japim mbështetje në të gjitha fushat dhe po punojmë që të përgatitemi me ekipet tona për këtë, veçanërisht ndërsa ju jeni duke u përgatitur për lojërat, ne po përgatitemi për t’ju mbështetur juve më shumë. Dhe këtë privilegj shpresojmë që do ta ndjeni dy vitet e ardhshme dhe të gjithë së bashku do të përgatitemi për Lojërat Olimpike”, tha Bakkal.

Lojërat Evropiane Krakoë dhe Malopolska 2023 do të fillojnë më 21 qershor dhe do të mbahen deri më 2 korrik. Bartës të flamurit të Kosovës do të jenë boksierja Donjeta Sadiku dhe atleti Muhamet Ramadani.

Më poshtë i gjeni sportistët dhe sportet që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Evropiane Krakoë dhe Malopolska 2023.

Boksi (7 sportistë): Altin Shala, Bashkim Bajoku, Donjeta Sadiku, Patriot Behrami, Shpejtim Bajoku, Taulant Jakupi – (3 trajnerë): Besim Brahimi, Latif Demolli, Marjola Sallauka

Çiklizmi (1 sportist): Samir Hasani – (1 trajner): Blerton Nuha

Kajakim (2 sportistë): Blandine Xhemajli, Lorand Gjoshi – (1 trajner): Besfort Balidemaj

Shenjëtari (1 sportist): Nexhat Sahiti – (1 trajner): Driton Sejdiu

Shigjetari (1 sportist): Edi Dvorani – (1 trajner): Fehmi Bylykbashi

Taekëondo (1 sportist): Arbër Bajra – (1 trajner): Arsim Agushi

Teqball (2 sportistë): Adrien Uka, Krenar Emini – (1 trajner): Azem Ahmeti

Atletika (23 sportistë): Muhamet Ramadani, Alaudin Suma, Arbesa Shala, Astrit Kryeziu, Emine Jenuzi, Enis Bytyçi, Erudit Rysha, Granit Ahmeti, Gresa Bakrraqi, Leon Thaqi, Medina Kutleshi, Albion Ymeri, Olti Bytyçi, Sara Susuri, Vesa Jusufi, Florentina Restelica, Genc Isufi, Lirije Peci, Donika Kryemadhi, Bardhyl Hajdaraj, Valentina Kelmendi – Musa, Florian Berisha dhe Ejona Shala – (6 trajnerë): Abdurrahman Shkodra, Bajram Duja, Lumbardh Shala, Xhavit Tahiri, Adrian Mazreku dhe Zijadin Kryeziu /KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA