Përgatiti: Fatlum Jashari
Në prag të vizitës në Prishtinë të pesë emisarëve për dialogun, Qeveria nuk ka konfirmuar nëse qëndrimi i saj për mosshkuarje në dialog deri në ndëshkimin ndërkombëtar të Serbisë, është përfundimtar ose jo.
Kosova shpreson, që të shtunën nga emisarët që përfaqësojnë BE-në, SHBA-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, të marrë zotime dhe garanci për këtë, si dhe ndryshimin e qasjes ndërkombëtare ndaj Serbisë, pas 24 Shtatorit.
Edhe pse e vlerësojnë sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë përbën pikë ndryshimi, opinionistët theksojnë se dialogu është i pa-alternativë.
“Është qëndrim i drejtë i Qeverisë së Kosovës, por Qeveria duhet të mos shihet si fajtor, si pengues i dialogut, sepse në një fazë të caktuar jemi parë (si të tillë) dhe për këtë jemi të sanksionuar. Nëse e humbim këtë mundësi, pozicionin që e kemi fitu më 24 Shtator, atëherë është rrezik që të ndëshkohemi edhe më shumë, përveç tjerash dihet që masat ndëshkuese do t’i kenë efektet në vitin 2024, nëse vazhdojnë deri në vitin e ardhshëm, atëherë ne mund t’i humbin 500 milionë euro fonde të BE-së”, tha Bekim Kabashi, opinionist.
Krahas konstatimit se 24 Shtatori zbuloi fytyrën e vërtetë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, opinionisti Fitim Mulolli thekson se Kosova nuk duhet të heqë dorë nga dialogu, por të ndërtojë argumente mbi aktin e agresionit në Banjskë.
“Eventi i 24 Shtatorit nuk zhvesh Kosovën nga obligimet e saj që i ka për m’i zbatu marrëveshjet, sepse është krijuar një përshtypje e tillë në publik dhe shpesh e kemi parë edhe te zyrtarët qeveritar dhe politik. Duhet taktizim i mirë, që të rikonfirmohet gatishmëria jonë për bashkëpunim dhe dialog, mirëpo në anën tjetër që të ketë masa shumë të ashpra ndaj Serbisë dhe që të rishikohet pozicioni i krejt komunitetit ndërkombëtar përballë Serbisë, pas 24 shtatorit”, tha Mulolli.
Një skenar mospajtimi për vazhdimin e dialogut, sipas Kabashit, rrezikon ta fusë procesin në një cikël vonesash të reja për të cilat është e interesuar Serbia.
“Mendoj se nuk është e rastësishme edhe shpallja e zgjedhjeve, sepse ka një qëllim, një tendencë për të prolonguar, mos me i dhënë një definim të qartë dialogut, pra procesit për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ky është interes i parë i Serbisë, shkaku edhe i luftës në Ukrainë ku Serbia pret që atje të dihet se si po përfundon, pastaj të veprohet me Kosovën”, tha Kabashi.
Krahas kërkesës për veprime brenda javësh për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, nga Kosova dhe Serbia, të martën, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, listoi në radhë veprimet që, sipas tij, duhen ndërmarrë.