Kalo te përmbajtja
Të fundit

Kosova përballet sonte me Irlandën për një vend në plejofin e Ligës A

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Kosova përballet sonte me Irlandën për një vend në plejofin e Ligës A

Kombëtarja e Kosovës zhvillon sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, teksa në Dublin përballet me Republikën e Irlandës, në kuadër të xhiros së fundit të Grupit B3.

Takimi nis nga ora 20:45, ndërsa në lojë është një objektiv i rëndësishëm për Dardanët, sigurimi i pozitës së dytë dhe kualifikimi në plejof për inkuadrim në Ligën A.

Reklamë

Kosova hyn në këtë përballje me gjashtë pikë, një më shumë se Irlanda, që renditet e treta. Kjo do të thotë se skuadrës së përzgjedhësit Franco Foda i mjafton edhe një barazim për ta ruajtur pozitën e dytë, ndërsa irlandezët duhet të fitojnë patjetër për ta kaluar Kosovën në renditje.

Dardanët kanë një kujtim të mirë nga përballja e parë, e zhvilluar në shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku triumfuan me rezultat minimal 1-0. Hero i asaj ndeshjeje ishte Vedat Muriqi, i cili shënoi golin vendimtar në minutën e 83-të.

Megjithatë, këtë herë sfida paraqet vështirësi shtesë për Kosovën, e cila do të jetë e hendikepuar nga tri mungesa. Edon Zhegrova është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit, Veldin Hoxha mungon për shkak të suspendimit pas kartonit të kuq ndaj Izraelit, ndërsa Enis Rexhepi nuk mund të aktivizohet për shkak se ende nuk është kompletuar dokumentacioni për ndryshimin e Kombëtares në FIFA.

Kështu, Foda do të ketë në dispozicion 21 futbollistë për këtë përballje, me emra të rëndësishëm si Arijanet Muric, Mërgim Vojvoda, Milot Rashica, Vedat Muriqi, Albion Rrahmani dhe Fisnik Asllani.

Kosova vjen në këtë takim pas barazimit pa gola ndaj Izraelit, ndërsa Irlanda pas humbjes 1-0 nga Austria.

Tashmë, gjithçka vendoset në Dublin. Dardanët janë vetëm 90 minuta larg sigurimit të plejofit dhe një hapi tjetër drejt Ligës A. Për ta arritur këtë, mjafton të mos kthehen duarbosh nga Irlanda.

Reklamë