Ka nisur të premten në Qingdao të Kinës gara Grand Prix e xhudos, ku në ditën e parë u paraqitën tri garuese nga Kosova. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë një vend në luftën për medalje.
Në kategorinë deri në 48 kilogramë, Erza Muminoviq e nisi me fitore garën, pasi mposhti Su Yon Jon nga Koreja e Veriut. Megjithatë, ajo u eliminua në xhiron e dytë, pasi u mposht nga xhudistja vendase, Wenna Zhuang.
Në kategorinë deri në 52 kilogramë, Fatjona Kasapi u ndal që në luftën e parë, duke u mposhtur nga gjermania Mascha Ballhaus, bartësja e parë e kategorisë.
Ndërkohë, edhe Flaka Loxha u eliminua në paraqitjen e saj të parë në kategorinë deri në 57 kilogramë, pasi u mposht nga Maysa Pardayeva e Turkmenistanit.
Garat për Kosovën vazhdojnë të shtunën, kur në tatami do të zbresin Laura Fazliu dhe Dardan Cena, me synimin për të siguruar rezultate pozitive në Grand Prix-in e Qingdaos.





