Kosova nuk e ka një institucion të veçantë që do shqyrtonte shkeljet ligjore të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës: fjala është për Gjykatën Ushtarake.
Sipas ish-kryetarit të ish-Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, një institucion i tillë është i nevojshëm për ushtrinë pasi do shërbente në forcimin e disiplinës së trupave të FSK-së.
“Si çdo shtet, një ushtri përpara unë e kam përfunduar ushtrinë në kohë të ish-Jugosllavisë, ka qenë gjykata ushtarake. Kjo vlen për ushtarët… Unë mendoj se pavarësisht nga numri, gjykata ushtarake mirë është të ekzistojë. Sepse ajo e luan rolin e forcimit të disiplinës. Në këtë aspekt, mirë do të ishte, por kjo është çështje e qeverisë, e organeve tjera… Në ushtri ekziston policia ushtarake, policia ushtarake më lehtë e ka për me i mbajt disiplinën kur ekziston gjykata ushtarake”, tha Dobruna.
Mirëpo, njeriu që qe në krye të FSK-së nga viti 2011 deri në vitin 2015, ndan një tjetër qëndrim sa i përket themelimit të Gjykatës Ushtarake.
“Me një numër të caktuar që Ushtria e Kosovës i ka pesë mijë (ushtarë) aktivë dhe tre mijë rezervë apo edhe numër deri në 10 mijë, Kosova është shtet i vogël dhe nuk ka nevojë që të ketë një gjykatë të posaçme ushtarake për shkak se nuk ka edhe raste shumë të theksuara që kanë shkelje ligjore apo kanë vepra penale. Dhe për mendimin tim do të ishte ngarkesë e buxhetit apo e panevojshme që Ushtria e Kosovës të ketë një gjykatë ushtarake. Ne jemi në dijeni që FSK ka nxjerrë një ligj për Ombuspersonin apo për një njeri, i cili do të merret për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve dhe ai person do të jetë në një mënyrë edhe mbrojtës i atyre pjesëtarëve, por edhe urë lidhëse mes gjykatave”, tha Kadri Kastrati, gjenerallejtnant i FSK-së.
Sipas ish-gjeneralit Katrati, rastet ku pjestarët e FSK-së implikohen në vepra penale janë të minimale.
E në linjë me mendimin e ish-gjeneralit është edhe Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
“Modeli i gjykatave ushtarake i përket ushtrive më të mëdha që kanë nevojë, për shembull shteteve të mëdha që kanë nevojë për të pasur një model të tillë për faktin që numri i pjesëtarëve, të cilët mbulojnë këto gjykata janë të mëdha. Në Kosovë mendoj që numri i ushtarëve është jashtëzakonisht i vogël për të krijuar kaq shumë instanca të cilat janë duke u krijuar. Mendoj që mbase mund të krijohet një dhomë pranë gjykatave aktuale, apo të caktohet një prokuror apo gjykatës që merret me këto raste. Por, nuk mendoj që ka nevojë që Kosova të ketë gjykatë ushtarake”, tha Vrajolli.
Ndërkaq, veprimtaria e Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, ka zgjatur rreth katër muaj gjatë viteve ’98 dhe ’99. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: