Kosova ka vendosur që të bëhet donatore në IDA-21 një fond që ndihmon vendet më të varfra në botë.
Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, e vlerësoi lart këtë vendim të Kosovës duke e cilësuar këtë hap si një moment historik për Kosovën dhe një dëshmi të qëndrueshmërisë së saj në skenën ndërkombëtare.
Në një konferencë për media bashkë më ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ai po ashtu theksoi se Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21 (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim) duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit, raporton KosovaPress.
“Një moment me rëndësi të thellë, jo vetëm për Kosovën dhe Bankën Botërore, por edhe për komunitetin global. Sot, Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21, siç e përmendi zoti ministër, duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit. Dhe kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu në Prishtinë, për të festuar këtë moment dhe për ta ndarë atë me ju, si dhe për t’ia bërë të ditur botës se Kosova ka marrë këtë vendim shumë të guximshëm, i cili do të ndihmojë vendet më të varfra në botë. Pavarësisht se ka përjetuar plagët e luftës nga viti 1998 deri në 1999 dhe se ka dalë si një nga ekonomitë më të cenueshme të Evropës, vendimi i Kosovës për të kontribuar në IDA-21 mishëron një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Ky hap shkon përtej thjesht simbolikës. Kjo është një deklaratë e guximshme se edhe kombet që kanë kapërcyer vështirësi të thella mund të jenë kampionë të solidaritetit global… Ky kalim nga përfitues në kontribuues është një rrëfim i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, i cili flet për qëndrueshmërinë, vizionin dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj progresit…Vendimi juaj për të kontribuar në IDA-21 fuqizon objektivat tona të përbashkëta: zhdukjen e varfërisë dhe ndërtimin e shoqërive të barabarta. Ai na sfidon të gjithëve të rishpikim atë që është e mundur kur vendet ndjekin rrugën e tyre me vendosmëri. Vendosmëria çon në rritje kur kultivohet me partneritet, dhe kjo mund të kapërcejë kufijtë dhe brezat”, tha ai.
Në anën tjetër, ministri Hekuarn Murati ka vlerësuar lartë bashkëpunimin që ka vendi me Bankën Botërore. Ai ka theksuar se deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh.
Sipas Muratit kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro.
“Sa i përket financimit dhe bashkëpunimit që kemi me Bankën Botërore mund të them se është një partner krucial në zhvillimin gjithëpërfshirës të shtetit tonë. Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim ka qenë mbështetëse dhe Kosova tash e 15 vite është anëtare e Bankës Botërore dhe tash e 15 vite ka përfituar nga mbështetja e vazhdueshme nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim. Deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh që kemi aktualisht. Kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro, ndërkaq mbështetja që është disbursuar është 289 milionë euro deri më tani. Përveç kësaj kemi edhe marrëveshje tjera që janë në vijim, që janë të nënshkruara apo priten të nënshkruhen siç janë, marrëveshja për mbështetjen e tregtisë dhe transportit që do të mbështesë korridoret e gjelbra, lehtësimin e transportit e kësisoj shpresoj edhe lehtësimin e eksportit dhe rritjen e vazhdueshme të eksportit. Përveç kësaj kemi edhe projektin për sistemin informativ shëndetësor, apo mbështetjen e sektorit të shëndetësisë që tashmë është nënshkruar vitin e kaluar dhe pret për ratifikim në Kuvend. Uroj që në legjislaturën që po vije këto marrëveshje të kenë mbështetjen e nevojshme”, tha Murati. /kp