Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që nuk aplikon tarifa për shfrytëzuesit e autostradave.
Mirëmbajtja e këtyre rrugëve bëhet për çdo vit me buxhet të shtetit, megjithatë drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës planifikojnë që shumë shpejtë shfrytëzimi i autostradave të bëhet me pagesë. Ndonëse, ministri i MMPHI, Liburn Aliu pretendon të bëhet një sistem më i modernizuar për pagesat siç është në vendet e Bashkimit Evropian.
Ministri Aliu derisa ka thënë se janë duke punuar në këtë drejtim, ka shtuar se njëkohësisht do të ketë edhe kontrolla të pagesave të tarifave.
Ndërsa theksoi se kjo po ashtu do të ndihmojë në zvogëlimin e aksidenteve dhe kontrollin e shpejtësisë, si dhe në menaxhimin e pagesave të tarifave për rrugë.
“Do të bëhen me pagesë, porse kjo pagesë do të bëhet me sistemin e ITS. Jemi duke shqyrtuar mundësinë që të mos kemi rampa dhe ndalesa, por kjo të bëhet në forma elektronike sikur që bëhet në shumë vende të BE-së. Pra, kësisoj edhe veturat apo automjetet që kalojnë transit nëpër Kosovë do të bëjnë pagesat, njëkohësisht edhe qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund t’i bëjnë pagesat e tyre në mënyrat si do të organizohet ajo. Pra, më shumë jemi të orientuar nga ideja e pagesës së shfrytëzimit të rrugëve përmes formave elektronike, tash që jemi në fazë të realizimit të projektit të ITS-së, pra sistemit inteligjent të transportit. Kjo do të ndikojë edhe në kujdesin në trafik dhe në zvogëlimin e aksidenteve me fatalitet. Përmes kamerave dhe kontrollit të shpejtësisë, por, njëkohësisht do të ketë edhe kontrolle të pagesave të tarifave apo taksave që paguhen për rrugë”, thotë Aliu.






