Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian miratoi një raport në të cilin përgëzohet progresi që Kosova shënoi në rrugën drejt integrimit evropian.
Në raport vlerësohen reformat në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke theksuar vendosmërinë e “sigurt” për këtë.
Megjithatë, Kosova është larg heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndonëse disa prej euro deputetëve gjatë seancës të së mërkurës bënë thirrje për këtë.
“Ne e dimë në çfarë situate jemi duhet konsensus i plotë, qytetari nuk i vëren, mirëpo shteti po, shumë projekte mbesin pezull, jemi larg mundësisë mu marrë një vendim i tillë, duhet të formohet një qeveri legjitime e që bën pastaj hap me bashkimin evropian”, tha Bekim Kabashi, njohës politik.
Bashkimi Evropian ndëshkoi Kosovën në qershor të 2023-s për shkak të veprimeve të njëanshme të Qeverisë dhe nxitjen e tensioneve etnike në veri.
“Ka shtete të cilat nuk pajtohen dhe këtë gjë mirë e dimë, nuk është procedurë e lehtë, nuk besoj që do të hiqen së shpejti…”, tha Basri Muja, njohës politik.
Kosova ka aplikuar për t’iu bashkuar bllokut 27-anëtarësh qysh në dhjetor të vitit 2022, por që nga ajo kohë nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.