Qeveria në detyrë e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë inauguruar të shtunën pikëkalimin e përbashkët kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, në pikën e Bllacës, e cila lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Ky pikëkalim, që brenda një viti pritet të kalojë rreth katër milion banorë, raporton EO.
Sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, ky sistem do të thjeshtojë procedurat kufitare, duke lejuar që qytetarët e të dyja vendeve të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor. Kjo do të reduktojë kohën e pritjes dhe do të lehtësojë kalimin e kufirit mes dy shteteve.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këto lehtësime kufitare janë pika të reja bashkëpunimi dhe shërbimi që lidhin edhe më shumë këto dy shtete dhe forcojnë fqinjësinë e tyre.
“Krijimi i pikave të përbashkëta për kalimet kufitare në Hani i Elezit, Bllacë dhe Kllubocic-Jashicë, janë më shumë se infrastruktura kufitare; janë pika të reja bashkëpunimi dhe shërbimi që lidhin edhe më shumë dy shtetet tona dhe forcojnë edhe më tej fqinjësinë tonë të mirë. Tani e tutje, qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërkohë që të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik. Ky model do të mundësojë sistemin e policisë kufitare vetëm në hyrje, duke optimizuar burimet dhe duke rritur kapacitetin për përballimin e fluksit në rritje të qytetarëve. Vetëm gjatë vitit 2024, mbi 5 milion qytetarë kaluan në tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo shifër dëshmon lidhjet mes njerëzve tanë, por edhe nevojën për lëvizje të lirë dhe të shpejtë të qytetarëve dhe mallrave. Na gëzon fakti që tani e tutje, policët tanë do të punojnë krah për krah në të njëjtat hapësira. Kështu, kemi forcuar partneritetin dhe bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë”, tha Kurti.
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, theksoi se ky projekt dëshmon se kufiri nuk duhet të jetë një mur, por mund dhe duhet të jetë një urë e përbashkët që lidh njerëzit, idetë dhe mundësitë.
“Ky nuk është vetëm një modernizim i kalimit kufitar tonë, por hapja e një perspektive të re për qytetarët, ekonominë dhe rajonin. Për qytetarët, kjo do të thotë më shumë kohë për familjen, për punën dhe për jetën. Sot këtu, në mënyrën më të mirë, demonstrojmë se kufiri nuk duhet të jetë një kur, por mund dhe duhet të jetë një urë e përbashkët që lidh njerëzit, idetë dhe mundësitë. Ky është një urë përmes së cilës flasim për besim, bashkëpunim, shkëmbim ekonomik, zhvillim të kulturës dhe turizmit”, tha Mickoski, raporton EO.