Partneriteti ekonomik dhe teknologjik mes Kosovës dhe Austrisë ka marrë një zhvillim të rëndësishëm në vitet e fundit, duke u fokusuar gjithnjë e më shumë në shkëmbimin e shërbimeve dhe investimet në infrastrukturën moderne, raporton Ekonomia Online.
Ekspertët dhe drejtuesit e shoqatave ekonomike austriake vlerësuan se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë evoluar në një partneritet të qëndrueshëm, ku fokusi ka kaluar nga investimet e drejtpërdrejta në zhvillimin e shërbimeve dhe infrastrukturës.
Wilhelm Nest, drejtor i “Advantage Austria” në Kosovë, një organizatë e eksportit dhe e promovimit të investimeve të Qeverisë Austriake, tha se marrëdhënia mes dy shteteve është forcuar gjatë dekadës së fundit.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Kosovën për një kohë të gjatë. Ndërsa, le të themi 10 vjet më parë, tema kryesore ishte investimi i drejtpërdrejtë i huaj nga Austria në Kosovë. Tani, veçanërisht shkëmbimi i shërbimeve është ai që e bën marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Austrisë të lulëzojë”, tha ai.
Nest po ashtu vuri në pah interesin e Austrisë për investimet në infrastrukturën e Kosovës, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe trafikut.
“Natyrisht, Austria është shumë e interesuar për investime në infrastrukturën në Kosovë. E dimë që po punoni për përmirësimin e sektorit të energjisë, pastaj do të ketë infrastrukturë të trafikut që duhet të ndërtohet ose përmirësohet. Kjo është patjetër një fushë, ku kompanitë austriake janë të interesuara të bëjnë biznes. Por, natyrisht, është gjithashtu thjesht shitja e mallrave të zakonshme për konsumatorët si dhe makinave e pajisjeve për kompanitë kosovare”, tha ai.
Christian Rupp, anëtar i Bordit Këshillues të Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare, theksoi rëndësinë e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Ne të gjithë jetojmë në të njëjtin vend në Evropë. Dhe kemi një sovranitet të veçantë, le të themi, digjital. Për shembull, çfarë duhet bërë me sigurinë kibernetike, çfarë duhet bërë me shërbimet qeveritare digjitale ndërkufitare, çfarë duhet bërë për të nxitur dhe përgatitur ndërmarrjet tona të vogla dhe të mesme për digjitalizimin. Dhe në fund, qytetarët. Pra, duhet t’i përfshijmë edhe ata me aftësi digjitale, të cilat çdokujt i nevojiten për të punuar në të ardhmen”, tha ai.
Rupp, i cili ka qenë edhe Sekretar Ekzekutiv Federal i Qeverisë Austriake, gjithashtu nënvizoi potencialin e madh të Kosovës në fushat e teknologjisë dhe digjitalizimit, duke përmendur studentët kosovarë si burim të rëndësishëm talenti.
“Ne kemi vizituar dje dy universitetet: Universitetin e Prishtinës dhe UBT-në dhe keni studentë të shkëlqyer me shumë potencial, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike, inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit. Mendoj se kjo është vërtet pika juaj unike e shitjes për Evropën. Mendoj se potenciali është në çdo sektor. Sepse sot keni, për shembull, inteligjencën artificiale edhe në bujqësi, pra bujqësinë e mençur. E keni në shëndetësi, sektori i e-shëndetësisë. Keni telemjekësinë. Dhe pastaj keni shumë llogaritje me performancë të lartë në metavers dhe gjithashtu në fushën e llogaritjes kuantike dhe sigurisë kibernetike. Pra, patjetër që na duhen në çdo degë njerëz që kanë njohuritë e duhura”, tha ai.