Kolegji AAB

Kosova, anëtare e asociuar e asamblesë parlamentare të NATO-s

Përgatiti: Fatlum Jashari

Asambleja Parlamentare e NATO-s avancoi statusin e Kosovës, në këtë organizatë ndërlidhëse të aleancës veri-atlantike, nga vëzhguese në anëtare bashkëpunëtore.

Vendimi i marrë të hënën në Sofje të Bullgarisë, i mundëson Kuvendit të Kosovës pjesëmarrje në pothuajse të gjitha komitetet dhe nën-komitetet e asamblesë, si dhe të diskutojë e propozojë amendamente dhe rezoluta.

Megjithatë, delegacioni kosovar nuk do të ketë të drejtë vote.

“Kosova tani ka të drejtë të marrë pjesë në takime, në mbledhje të rëndësishme të asamblesë së NATO-s, megjithatë nuk e ka të drejtën e votimit për raportet, propozimet dhe vendimet që merren atje. Megjithatë, është një shkallë ose hap tutje drejt anëtarësimit, që është epilogu i synuar i yni, por edhe i NATO-s që ta ketë Kosovën brenda saj”, tha Fatmir Çollaku, profesor i lëndëve të sigurisë.

Asambleja Parlamentare funksionon institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si lidhje ndërmjet kuvendeve të shteteve anëtare.

Në këtë kontekst, edhe pse avancimin e vlerësoi zhvillim të rëndësishëm, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, theksoi nevojën e përqendrimit te programi që i paraprin anëtarësimit të plotë.

“Është një tregues dhe një trajektore e mirë në kontekstin afatgjatë, sepse Kosova e ka këtë synim edhe politik edhe ushtarak, të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike… Ne duhet të punojmë fuqishëm me partnerët tanë strategjikë që të jemi në programin e partneritetit për paqe, i cili është segmenti kryesor apo çelësi i derës për të hyrë në NATO”, tha Shala.

Pasi shpjegoi se procesi i anëtarësimit ka gjithsej shtatë faza që përfshijnë një sërë çështjesh, ai vlerësoi se në situatën aktuale, zyrtarisht, Kosova është në atë zero.

“Në hapin zero konsiderohet transformimi në Forca të Armatosura, përmbyllja e marrëveshjes finale me Serbinë, demarkimi i kufirit me Serbinë, sepse çdo anëtar i NATO-s i di kufijtë e tij shtetërorë. Dhe, në këtë mori (çështjesh) teknike të cilat Kosova duhet t’i përmbyllë në hapin zero, mendoj që në periudhën më të përshpejtuar të mundshme, më 2028-29 ne mund të jemi anëtar të plotë të NATO-s”, tha Shala.

Kosova u bë anëtarja e 11-të e asociuar apo bashkëpunëtore e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Të njëjtin status e ka edhe Serbia.

Aktualisht, Aleanca Veri-Atlantike ka 32 shtete anëtare, ndërsa Kosova ka shprehur haptas ambiciet për t’u bërë pjesë e saj.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA