Përgatiti: Nora Luta
Kjo kërkesë e zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunal të Graçanicës, Granit Gashi, ka hasur në vesh të shurdhër. Gashi i ka kërkuar Drejtorisë së Arsimit që t’i kthejë procedurat për punësimin e 28 arsimtarëve dhe profesorëve në pikën zero.
Nga konkursi i shpallur në prill të këtij viti janë pranuar ky numër i personave dhe paguhen nga buxheti i shtetit për punën që s’e bëjnë.
Igor Rasic figuron në listën e pagave nga konkursi i kaluar si i punësuar në pozitën e profesorit në gjimnazin e Llapnasellës, por të martën ai nuk ishte aty. Punonjës të gjimnazit i thanë televizionit se nuk njohin profesor me këtë emër.
Gashi thotë se njësoj kanë vepruar edhe 28 persona të tjerë, që, sipas tij, disa janë sistemuar nëpër drejtori të Komunës.
Sipas Gashit, Komuna në konkursin e fundit ka vepruar në kundërshtim me rregulloren për rekrutimin e mësimdhënësve, dhe ka bërë shkelje në formimin e Komisionit për përzgjedhjen e të punësuarve.
“Një përfaqësues i komunitetit pakicë, komuna asnjëherë nuk e ka respektu”, tha Gashi.
ATV-ja ka provuar për disa ditë rresht të marrë përgjigje nga Komuna e Graçanicës, por as të martën nuk dha qëndrim.
Ndërkohë Ministria e Arsimit ka thënë se punësimi i mësimdhënësve është në kompetencë të komunave. Sipas përgjigjes nga MASHT-i, e cila thotë të mos ketë pranuar ankesë lidhur me konkursin, ankesat e mësimdhënësve drejtohen tek komisionet e ankesave në nivel të komunave përkatëse.
Por zv.kryesuesi i Kuvendit Komunal thotë se e kishin rekomanduar ta raportojë rastin në Polici.
“Ministria e Arsimit paguan mbi një milion euro në vit, që shumica e tyre rrinë në shtëpi. Kam bërë disa ankesa, MASHT-i na ka sugjeru që me iu drejtu Policisë…”, tha Gashi.
Aktualisht, Komuna e Graçanicës, sipas regjistrit të tabelës së shpërndarjes së granateve për paga nga Ministria e Arsimit, ka të punësuar rreth 240 mësimdhënës.