Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, deklaroi se në momentin që Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka propozuar Vjosa Osmanin për Presidente edhe për një mandat, opozita ka “kalkuluar” se ajo mund t’u ndihmojë për t’ia ulë përqindjen në vota partisë në pushtet.
“Në momentin që Vjosa Osmani nuk ka qenë propozim nga ana e LVV-së, ka ndryshuar kalkulimi i opozitës. Opozita do me e përfshi si element të ri në skenën tonë politike, përfshirjen e presidentes Osmani. Ata mendojnë që kjo do ta zbriste përqindjen e LVV-së. Prej kur ka qenë ky element në garë, nuk ka pasur propozime të sinqerta, kjo është më shumë kalkulim i opozitës për zgjedhje”- tha Konjufca për media.
Osmani, sipas tij, nuk e ka shfaqur orientimin e saj politik që është kundër Lëvizjes Vetëvendosjes.
“Unë mendoj që rrugët tona prapë do të takohen. Gjithmonë të hapur për bashkëpunim me zonjën Osmani”- shtoi ai.






