Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati të martën ka lansuar linjën e ndihmës psikologjike, përmes së cilës të gjithë ata që kanë nevojë për të folur me psikologun mund ta bëjnë në numrin 0800 110 09.
Në njoftimin e komunës thuhet se linja “Konsultohu me Psikologun” është një platformë telefonike ku qytetarët e Istogut, të cilët kanë shqetësime me shëndetin mendor, ankth, depresion, mendime për vetëvrasje e probleme të tjera të cilat lidhen me shëndetin mendor mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 110 09.
“Bisedat nuk regjistrohen dhe mbahen anonime ndërsa në regjistrat e “Konsultohu me Psikologun” mund të shohësh vetëm orën e saktë në sa është pranuar një telefonatë. Ata që thërrasin në këtë linjë nuk janë të obliguar të tregojnë identitetin e tyre por në anën tjetër të njëjtëve u mundësohet të vazhdojnë trajtimin psikologjik edhe në institucione të tjera”, thuhet në njoftim.