Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë të ditur se në ditën e parë të punës për këtë vit ka marrë dy vendime me rëndësi të veçantë për qytetarët, duke vënë në zbatim premtime të dhëna për mandatin e ri.
Sipas Ramosajt, komuna do të subvencionojë me 500 euro të gjithë personat që përballen me sëmundje malinje, si formë mbështetjeje morale dhe financiare gjatë periudhave të vështira.
Po ashtu, është marrë vendim që çdo nënë lehonë të përfitojë subvencion prej 300 eurosh për secilën lindje, si shenjë përkrahjeje dhe respekti për rolin dhe sakrificën e tyre në familje dhe shoqëri.
“Këto vendime janë dëshmi e fjalës së mbajtur dhe e përkushtimit tonë për politika sociale në shërbim të qytetarëve”, ka deklaruar Ramosaj.
Ai ka shtuar se komuna do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve përmes politikave sociale që synojnë përmirësimin e mirëqenies dhe përkrahjen e kategorive në nevojë.






