Përgatiti: Armand Hoti
Qytetarët e Kosovës, që ndër vite u faturuan për shpenzimin e rrymës në katër komunat veriore të Kosovës, akoma nuk kanë filluar të kompensohen.
Madje as nuk dihet se kur do të ndodh.
Distributori KEDS po vazhdon të mos e zbatojë vendimin, pavarësisht se kërkesa për shtyrje të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, iu refuzua nga dy shkallët e Gjykatës Komerciale, si dhe nga Gjykata Supreme.
“Gjykata përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative, duke vepruar sipas kësaj çështje me aktvendimin e datë 17.05.2024, ka refuzuar kërkesën e KEDS për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRrE, deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar me padi, si të pabazuar. Dhoma e Dytë e Gjykatës Komerciale, me aktvendimin e datë 18.06.2024 ka refuzuar si të pabazuar ankesën e propozuesit dhe ka vërtetuar vendimin e Dhomës së Shkallës së Parë”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Komerciale.
Vendimi i ZRRE-së thotë se qytetarët duhet kompensuar në vlerë prej rreth 40.8 milionë eurosh, që vërtetohen se kanë paguar aktivisht për periudhën shkurt 2012 – tetor 2017.
“Padia ndaj vendimit të ZRRE-së me të cilën jemi obliguar të bëjmë kompensimin 40 milionësh është parashtruar në gjykatë më 7 maj 2024. Kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së na është refuzuar në të gjitha shkallët, kurse për çështjen kryesore ende nuk jemi ftuar. Arsyet pse KEDS e ka kontestuar vendimin e ZRRE-së me padi është se KEDS nuk ka qenë fare palë ndërgjyqëse në procesin kontestimor nga i cili ka dalë Vendimi i Gjykatës, i cili obligon kompensimin e faturave të paguara për katër komunat në veri”, thuhet në përgjigjen nga KEDS-i.
Mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ZRRE-ja para një viti obligoi KEDS-in t’ua kthejë borxhin kosovarëve, duke i kompensuar çdo muaj nga qershori 2024 – deri në prill 2030.
“ZRRE është dashur përkundër zvarritjeve që tenton t’ia bëjë KEDS dhe KESCO, është dashur ta obligojë KEDS dhe KESCO-n, ta rimbursojë këtë më së buti ta quaj zbutje të qytetarëve përmes faturës së energjisë, në rimbursim të faturës së energjisë, që vështruar sipas pasqyrave të të hyrave të lejuara të ZRRE-së…që nga prilli i vitit 2024 fatura e rrymës për qytetarët është dashur të jetë më e ulët për 10.47%”, tha Izet Ibrahimi, ekspert i energjisë.
Sidoqoftë, ekonomisti Jakup Bellaqa, thotë se qytetarët pësojnë nga mos-kompensimi në kohën kur paralajmërohet shtrenjtim i rrymës.
ZRRE nuk ktheu përgjigje nga java e kaluar e deri të martën, për këtë çështje.