Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është e rëndësishme që të ketë besimin e qytetarëve të Kosovës për vettingun në drejtësi. Kështu u shpreh ajo, pas deklarimit të deputetes Doarda Kica-Xhelili, e cila u shpreh se partia në pushtet nuk e ka përkrahjen e ndërkombëtare.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës deklaroi se Komisioni i Venecias e ka amputuar vettingun.
“Komisioni i Venecias e amputoi vettingun. Por, pse e amputoi vettingun në Kosovë, por vettingu nuk u amputoi për Shqipëri? Pse madje edhe çështje e Byrosë u amputoi për Kosovë, por e njëjta nuk vlejti për Italinë? Pra, thënë shkurt interpretimet ligjore dhe këtë duhet ta kuptoni mirë kanë të bëjnë me aspektin subjektiv të një shoqërie. Kanë të bëjnë me atë që judikatura e kupton se si proporcionalitet… Ne nuk është dhënë besimi si politikë kosovare ta shtyjmë këtë proces deri në fund, nuk na është besimi për diçka që u është dhënë të tjerëve. Ka të bëjë specifikisht me ne si shoqëri e si politikë. E pse nuk është dhënë besimi, sepse ka pasur papjekuri politike në qasjen që e kemi pasur”, deklaroi ajo.
Gjatë procedimit të tri amendamenteve kushtetuese për vettingun, ajo shtoi se ministrja e Drejtësisë në këto procese nuk e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se e rëndësishëm është besimi i qytetarëve të Kosovës.
“Tha që nuk e keni besimin e partnerëve, apo nuk e keni pasur. Për mua është e rëndësishme që ta kemi besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne kemi pasur besimin e qytetarëve për ta bërë vettingun në sistemin e drejtësisë, prandaj kjo është për mua e rëndësishme. Ndërsa me partnerët ndërkombëtar, me shoqërinë civile, me pjesën tjetër të institucioneve mund të kemi në vazhdimësi diskutime për t’u përballur me argumente. …Partnerët ndërkombëtare, e vërtetë, kanë thënë që Kosova nuk duhet të ketë Vetting, Kosova duhet vetëm t’i forcojë mekanizmat e brendshëm të vettingut”, ka thënë Haxhiu.