Kolegji AAB është prezantuar në platformën evropiane informative “CE Report”, një medium me bazë në Vjenë, i cili ndjek zhvillimet kryesore në Bashkimin Evropian dhe në vendet e Evropës Juglindore, përfshirë edhe Kosovën.
Publikimi në këtë platformë e vendos AAB-në në një kontekst më të gjerë rajonal dhe evropian, duke theksuar zhvillimin e institucionit në fushën e arsimit të lartë, inovacionit, ndërkombëtarizimit dhe bashkëpunimit akademik.
Në artikullin e autorëve Blerim Olluri dhe Venera Llunji, Kolegji AAB paraqitet si një institucion që synon të lidhë arsimin, kërkimin shkencor, teknologjinë dhe partneritetet ndërkombëtare me nevojat e shoqërisë moderne.
Artikullin e plotë, të përkthyer dhe të përshtatur në gjuhën shqipe, mund ta lexoni më poshtë:
Kolegji AAB: Avancimi i arsimit të lartë përmes inovacionit, internacionalizimit dhe ndikimit akademik global
Nga:
[Blerim Olluri]
[Venera Llunji]
Në një epokë globale të karakterizuar nga transformimet e shpejta, akcelerimi digjital dhe ndërvarësia gjithnjë e më e madhe, institucionet e arsimit të lartë nuk kufizohen më vetëm në rolin e ofruesve të dijes; ato janë aktorë kyç në formësimin e shoqërive, ekonomive dhe të ardhmes globale. Brenda këtij peizazhi në zhvillim e sipër, Kolegji AAB është etabluar fuqishëm si një prej institucioneve më profesionale dhe dinamike të arsimit të lartë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke u dalluar për vizionin e tij akademik largpamës, angazhimin ndërkombëtar dhe përkushtimin e pandërprerë ndaj ekselencës, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror.
Përgjatë viteve, Kolegji AAB është shndërruar në një ekosistem akademik gjithëpërfshirës që bashkon më shumë se 17,000 studentë aktivë, mbi 700 anëtarë të stafit akademik dhe administrativ, 14 fakultete dhe më shumë se 50 programe të akredituara studimore në nivelet Bachelor dhe Master. Kjo përmasë nuk përbën vetëm një tregues të rritjes institucionale, por është pasqyrim i një transformimi më të thellë: shndërrimit të AAB-së në një qendër rajonale ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar konvergojnë në një mision të njësuar akademik me relevancë globale.
Një tregues i rëndësishëm i rritjes së prestigjit akademik dhe i atraktivitetit institucional të Kolegjit AAB është rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve që transferohen nga institucionet e tjera të arsimit të lartë. Vetëm gjatë vitit akademik 2025–2026, më shumë se 100 studentë zgjodhën t’i ndjekin dhe t’i vazhdojnë studimet e tyre në Kolegjin AAB—një zhvillim ky që pasqyron qartë besimin në rritje ndaj standardeve akademike të institucionit, programeve inovative të studimit dhe ambientit universitar bashkëkohor.
Ky trend rritës dëshmon konsolidimin e reputacionit të Kolegjit AAB si një institucion dinamik dhe konkurrues i arsimit të lartë, i cili i përgjigjet kërkesave akademike dhe profesionale në zhvillim të shoqërisë së sotme. Transferimet e studentëve janë regjistruar në një gamë të gjerë disiplinash, përfshirë Shkencat Kompjuterike dhe Inxhinierinë Softuerike, Gjuhën Angleze, Shkencat Sociale, Drejtësinë, Arkitekturën, Kulturën Fizike dhe Sportin, midis të tjerave.
Gjerësia e këtyre fushave akademike ilustron jo vetëm diversitetin dhe fuqinë ndërdisiplinore të portofolit edukativ të Kolegjit AAB, por edhe kapacitetin në rritje të institucionit për të tërhequr studentë që kërkojnë cilësi akademike, metodologji moderne të mësimdhënies, orientim praktik dhe një përvojë arsimore me orientim ndërkombëtar.
Portofoli akademik i Kolegjit AAB shtrihet në një spektër të gjerë disiplinash, duke përfshirë drejtësinë, ekonominë, psikologjinë, shkencat sociale, shkencat e sportit, gjuhët e huaja, arkitekturën, shkencat kompjuterike, median dhe komunikimin, kujdesin shëndetësor, stomatologjinë, artet, administratën publike dhe fusha të tjera bashkëkohore të harmonizuara me nevojat në zhvillim të shoqërive moderne dhe të tregjeve globale të punës. Megjithatë, ajo që e përcakton këtë institucion nuk është vetëm diversiteti i programeve të tij, por filozofia e tij pedagogjike—ajo që urëzon qëllimisht teorinë me praktikën, duke i shndërruar studentët nga pranues pasivë të dijes në kontribues aktivë në kërkim shkencor, inovacion dhe në zgjidhjen e problemeve profesionale.
Ky përkushtim jetësohet në një model edukativ ku studentët angazhohen vazhdimisht në kërkime shkencore dhe të aplikuara, trajnime profesionale, praktika pune (internshipe), punëtori (workshops), konferenca akademike dhe projekte ndërdisiplinore të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me institucionet publike, partnerët e sektorit privat, organizatat ndërkombëtare, sistemet shëndetësore, industrinë e medias, institucionet sportive dhe aktorët e shoqërisë civile. Si rrjedhojë, të diplomuarit e Kolegjit AAB hyjnë në botën profesionale të pajisur jo vetëm me kualifikime akademike, por edhe me kompetenca praktike, shkathtësi digjitale, mendim kritik dhe një botëkuptim të orientuar ndërkombëtarisht.
Infrastruktura fizike dhe teknologjike e institucionit e përforcon edhe më tej këtë vizion akademik. Kolegji AAB operon një nga kampuset universitare private më të avancuara në Kosovë, i cili disponon laboratorë të teknologjisë së fundit, mjedise ndërvepruese të mësimdhënies, studio arkitekture, hapësira të të mësuarit klinik dhe praktik, laboratorë gjuhësorë, amfiteatrot, sisteme të të mësuarit digjital, infrastrukturë sportive e rekreative, si dhe qasje plotësisht gjithëpërfshirëse për personat me nevoja të veçanta. Ky mjedis është projektuar jo thjesht për të mbështetur procesin e të mësuarit, por për ta formësuar aktivisht atë, duke nxitur kreativitetin, inovacionin, bashkëpunimin dhe ekselencën akademike.
Transformimi digjital qëndron në bërthamën e strategjisë operacionale dhe pedagogjike të institucionit. Përmes sistemeve akademike dhe administrative të digjitalizuara plotësisht, platformave moderne të të mësuarit dhe metodologjive të mësimdhënies të avancuara nga teknologjia, Kolegji AAB garanton efikasitet, qasje dhe cilësi në të gjitha dimensionet e jetës akademike. Kjo plotësohet nga një infrastrukturë e fuqishme mbështetëse për studentët, duke përfshirë shërbimet e transportit falas, bibliotekat moderne dhe hapësirat e të mësuarit të orientuara drejt kërkimit shkencor, të cilat mundësojnë zhvillimin akademik të pavarur.
Një element i dallueshëm i modelit të të mësuarit përmes përvojës (experiential learning) është integrimi i tij me ATV-në, një nga platformat mediale më me ndikim në Kosovë. Përmes këtij partneriteti, studentët e gazetarisë, medias dhe komunikimit fitojnë një përvojë të drejtpërdrejtë në mjediset profesionale të transmetimit, duke mundësuar një tranzicion të rrjedhshëm midis përgatitjes akademike dhe praktikës mediale në botën reale.
Internacionalizimi përfaqëson një nga shtyllat përcaktuese të identitetit institucional dhe të drejtimit strategjik të Kolegjit AAB. Përmes një rrjeti të gjerë prej më shumë se 150 partneritetesh me universitete dhe institucione akademike anembanë botës, Kolegji AAB ka zgjeruar ndjeshëm gjurmën e tij akademike globale dhe ka forcuar rolin e tij brenda Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë.
Si një pjesëmarrës aktiv në kuadrin e programit Erasmus+, institucioni vazhdon të gjenerojë mundësi transformuese për studentët, stafin akademik dhe kërkuesit shkencorë përmes mobilitetit, shkëmbimeve dhe iniciativave të përbashkëta akademike. Vetëm gjatë vitit të kaluar akademik, dhjetëra studentë morën pjesë në programe shkëmbimi ndërkombëtar, ndërsa më shumë se 60 anëtarë të stafit akademik dhe administrativ u angazhuan në mobilitete për mësimdhënie dhe trajnime jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, Kolegji AAB mirëpriti mbi 60 profesorë, kërkues shkencorë dhe ekspertë ndërkombëtarë përmes programeve të mobilitetit hyrës, ligjëratave, konferencave, javëve ndërkombëtare të stafit dhe aktiviteteve të përbashkëta akademike.
Përtej mobilitetit, institucioni nxit në mënyrë aktive ndërlidhjen akademike përmes shkollave verore, konferencave ndërkombëtare, hakatoneve (hackathons), formateve hibride të mësimdhënies dhe bashkëpunimeve kërkimore ndërkufitare, duke krijuar një hapësirë intelektuale të gjallë për dialog ndërkulturor dhe shkëmbim të praktikave më të mira akademike globale.
Ky orientim ndërkombëtar përforcohet më tej nga anëtarësimi i Kolegjit AAB në rrjetet kryesore akademike globale, duke përfshirë Shoqatën e Universiteteve Evropiane (EUA), Magna Charta Universitatum, ELFA e të tjera. Këto anëtarësime jo vetëm që rrisin vizibilitetin institucional, por edhe e ankorojnë fuqishëm Kolegjin AAB brenda standardeve evropiane të sigurimit të cilësisë, integritetit akademik, autonomisë institucionale dhe kërkimit shkencor të përbashkët.
Kërkimi shkencor, inovacioni dhe zhvillimi i projekteve përbëjnë një tjetër shtyllë qendrore të strategjisë akademike të institucionit. Përmes Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim dhe Zyrës për Zhvillim të Projekteve, Kolegji AAB aktualisht zbaton 25 projekte të financuara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në kuadër të disa prej dritareve më prestigjioze evropiane dhe rajonale, përfshirë Ngritjen e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë (CBHE), iniciativat Jean Monnet, projektet Erasmus Mundus, Horizon Europe, Institutin Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT), Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe programin Visegrad+.
Këto iniciativa nuk janë thjesht arritje administrative; ato përfaqësojnë një kontribut të strukturuar në modernizimin e kurrikulave, avancimin shkencor, zhvillimin e ndërmarrësisë, inovacionin teknologjik, tranzicionet e qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimin ndërsektorial. Në këtë mënyrë, Kolegji AAB pozicionohet si një prodhues aktiv i dijes, i aftë për t’iu përgjigjur sfidave komplekse globale përmes zgjidhjeve të bazuara në kërkim shkencor.
Institucioni gjithashtu dëshmon një përkushtim të fortë dhe të palëkundur ndaj Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDGs), duke integruar parimet e përfshirjes, barazisë, qëndrueshmërisë, inovacionit dhe përgjegjësisë sociale në kornizat e tij akademike, kërkimore dhe institucionale. Përmes iniciativave të synuara në arsimin gjithëpërfshirës, barazinë gjinore, ekosistemet e inovacionit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, Kolegji AAB kontribuon aktivisht në transformimin shoqëror si brenda Kosovës, ashtu edhe në kontekstin më të gjerë rajonal.
Krahas arritjeve të tij akademike dhe institucionale, Kolegji AAB ka ndërtuar një reputacion të rëndësishëm ndërkombëtar përmes çmimeve prestigjioze dhe mirënjohjeve të nderit që u akordon personaliteteve të shquara globale në politikë, diplomaci, letërsi, shkencë, arte, sport dhe të drejtat e njeriut. Këto vlerësime përfshijnë Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrim, Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë “Ali Podrimja”, Çmimin Ndërkombëtar për Arritje të Larta Shkencore dhe Artistike, si dhe titujt e nderit Doctor Honoris Causa dhe Professor Honoris Causa.
Ndër personalitetet e shquara të vlerësuara nga Kolegji AAB janë Benjamín Fernández Bogado, Stjepan Mesić, Steve H. Hanke, Massimo D’Alema, William Walker, Jamie Shea, Ismail Kadare, Peter Marko Tase, Abdullah Sidran, Nexhmije Pagarusha, Doris Pack, Milo Đukanović, Ernesto Kahan, Sultan Catto, Feride Rushiti, Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë dhe Majlinda Kelmendi, mes shumë të tjerëve. Këto mirënjohje pasqyrojnë misionin më të gjerë të Kolegjit AAB për nxitjen e dialogut, forcimin e vlerave demokratike dhe promovimin e shkëmbimit ndërkombëtar akademik e kulturor.
I pozicionuar në udhëkryqet e Evropës, Kolegji AAB vazhdon të forcojë rolin e tij si një institucion transformues i arsimit të lartë që ndërlidh zhvillimin lokal me mundësitë globale. Përmes vizionit të tij strategjik, partneriteteve ndërkombëtare, ekselencës në kërkim shkencor dhe qasjes së orientuar ndaj studentit, institucioni mbetet i përkushtuar fuqishëm për t’i pajisur gjeneratat e ardhshme me njohuritë, kompetencat dhe perspektivën globale të nevojshme për të udhëhequr në një botë gjithnjë e më komplekse dhe të ndërlidhur.
Teksa Kolegji AAB konsolidon praninë e tij akademike globale, ai vazhdon të riafirmojë një bindje themelore: se arsimi i lartë nuk është vetëm një rrugë drejt suksesit individual, por një forcë e fuqishme për inovacion, bashkëpunim dhe transformim shoqëror domethënës përtej kufijve.
Dr. Blerim Olluri është Kancelar (Rektor) i Kolegjit AAB në Prishtinë. Ka diplomuar në nivelin Master në Fakultetin e Kriminologjisë në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa studimet bazë i ka përfunduar në Fakultetin e Kimisë të Universitetit të Prishtinës. Ndërkohë, ka përfunduar studimet e doktoratës në drejtësi në Tiranë. Blerim Olluri ka një përvojë të gjerë në mësimdhënie universitare, veçanërisht në fushën e drejtësisë penale. Aktualisht, ai udhëheq një nga universitetet më të mëdha në Kosovë dhe në Evropën Juglindore. Ëshet anëtar aktiv i Akademisë Amerikane të Shkencave Ligjore (AAFS) dhe ka shërbyer në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Është i certifikuar si ekspert i forenzikës në fusha të shumta. Një sërë botimesh të tij shkencore janë publikuar në revista të shumta shkencore rajonale, si dhe në platformat “SCOPUS” dhe “Web of Science”.
Prof. Ass. Dr. Venera Llunji është një studiuese e shquar, përkthyese dhe lidere në arsimin e lartë me mbi tri dekada përvojë. Aktualisht mban pozitën e Zëvendëskancelares për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kolegjin AAB në Prishtinë, ku ka avancuar internacionalizimin, ka nxitur partneritete strategjike, ka promovuar Politikën e Jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe ka formësuar politikat e arsimit të lartë në nivelet kombëtare dhe evropiane. Puna e saj integron studimet gjuhësore dhe shkencat politike, e mbështetur nga dy tituj doktorate, trajnime të specializuara dhe një angazhim të vazhdueshëm në kërkime ndërkombëtare, mësimdhënie, diplomaci publike dhe rrjete akademike.





