Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i ka quajtur raciste Dhomat e Specializuara, duke thënë se arrestimet, gjykimet dhe dënimet po bëhen në baza etnike.
KMDLNJ-ja ka thënë se ky institucion po vazhdon në rrethana të mungesës së transparencës dhe të redaktimeve të shumta “që efektivisht shkaktojnë huti dhe mosbesim në opinion”.
Sipas Këshillit, Gjykata Speciale ua ka pakësuar mundësinë për mbrojtje të akuzuarve, e dënimet ndaj Nasim Haradinajt, Hysni Gucatit dhe Salih Mustafës “ishin kapitale, drakonike dhe të pashembullta”.
“Risi e kësaj Gjykate, nga aspekti i të drejtave të njeriut pa asnjë dyshim raciste (sepse të gjitha arrestimet, gjykimet dhe dënimet janë në baza etnike) është numri i madh i të arrestuarve dhe atyre që merren në pyetje për një vepër që është risi, pengimi i administrimit të drejtësisë dhe frikësimi i dëshmitarëve e që është numër më i madh se i atyre që janë arrestuar, po gjykohen apo që janë dënuar. Në njërën anë, Gjykata Speciale përkatësisht Prokuroria e Specializuar nuk lë mjet pa keqpërdorur për të ardhur te provat kundër atyre që po gjykohen apo që janë dënuar duke filluar nga fakti që shumica e provave janë siguruar nga shteti i Serbisë përkatësisht nga shërbimet inteligjente të këtij shteti që ka kurdisur prova dhe dëshmitarë, ka joshur dëshmitarë me para dhe premtim për strehim në një vend tjetër, ka hyrë në marrëveshje me dëshmitarë të ndryshëm, ka marrë deklarata në prani të prokurorëve të Serbisë dhe ka trajnuar dëshmitarë se si duhet të dëshmojnë”, thuhet në komunikatën dërguar mediave të martën.
Ndërsa, KMDLNJ-ja ka shtuar se Gjykata Speciale e ka përndjekur çdo person që i ka kundërshtuar metodat e Prokurorisë Speciale duke ua konfiskuar telefonat, kompjuterët, librat apo publikimet.
“Kishte dëshmitarë të organizatave me nam që dëshmuan se raportet e tyre janë bazuar në raporte të mediave serbe dhe institucioneve serbe sikur edhe organizatave në Kosovës që edhe ato mbështeteshin në të njëjtat burime. Rast flagrant është se dëshmitari që edhe tani është duke dëshmuar, serb i Serbisë që qenka ndaluar, sipas tij nga UÇK-ë botërisht e pranon se deklaratën fillimisht e ka dhënë te prokurori serb në Beograd ndërsa, po të njëjtën deklaratë e paska dhënë para Prokurorit të Specializuar, në praninë dhe shoqërimin e prokurorit të Serbisë”, thuhet tutje.