“Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim”: Gjashtë vjet nga dita kur Thaçi la Presidencën dhe u nis drejt Hagës

Gjashtë vjet më parë, më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës dhe u nis drejt Hagës, pasi u bë publike aktakuza ndaj tij nga Gjykata Speciale. “Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të shihemi prapë e do të dalim faqebardhë”, ishte mesazhi i tij i fundit për qytetarët para transferimit në qendrën e paraburgimit.
Gjashtë vjet më vonë, Thaçi vazhdon të përballet me drejtësinë në Hagë, ndërsa procesi ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së ka kulmuar me 81 vjet burgim të shqiptuara në shkallën e parë. Nga dita që tronditi skenën politike të Kosovës deri te aktgjykimi që riktheu në qendër të debatit luftën e UÇK-së dhe mandatin e Gjykatës Speciale, kjo është kronologjia e një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore për Kosovën e pasluftës.
Reklamë
“Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të shihemi prapë e do të dalim faqebardhë”.
Këto ishin fjalët me të cilat Hashim Thaçi iu drejtua qytetarëve të Kosovës më 5 nëntor 2020, në një konferencë për media që shënoi fundin e ushtrimit të detyrës së tij si president i Kosovës.
Vendimin e arsyetoi me nevojën për të mbrojtur integritetin e Presidencës dhe të shtetit.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi.
Në fjalimin e tij, ish-presidenti kishte këmbëngulur në pafajësinë e tij dhe në karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve si një çmim tjetër që, sipas tij, po kërkohej të paguhej për lirinë e Kosovës.
“Unë besoj në drejtësi, besoj në luftën e drejtë të UÇK-së dhe besoj në pafajësinë time”, ishte mesazhi i tij.
Në përfundim të adresimit, Thaçi kishte kërkuar nga qytetarët që të ruanin qetësinë dhe të mos organizonin protesta, me bindjen se do të kthehej dhe do të dilte faqebardhë nga procesi.
Aktakuza që e ndryshoi skenën politike
Aktakuza ndaj Thaçit nuk ishte një zhvillim i papritur në atë ditë. Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar më 24 qershor 2020 se më 24 prill të po atij viti kishte dorëzuar aktakuzën për shqyrtim. Ajo u konfirmua nga gjykatësi i procedurës paraprake më 26 tetor, por u bë publike vetëm më 5 nëntor 2020.
Përveç Thaçit, aktakuza përfshinte edhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ish-deputetin Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Katër ish-krerët e UÇK-së akuzoheshin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën, vrasjen, përndjekjen dhe zhdukjen me forcë të personave.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, krimet ishin kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë veriore.
Publikimi i aktakuzës shkaktoi tronditje politike dhe shoqërore në Kosovë. Për herë të parë, një president në detyrë i vendit po jepte dorëheqje pas konfirmimit të një aktakuze që lidhej me periudhën e luftës së UÇK-së.
Nga Presidenca në qendrën e paraburgimit në Hagë
Pas dorëheqjes, Thaçi u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në të njëjtën ditë, më 5 nëntor 2020, drejt Hagës u transferuan edhe Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Ndërkaq, Jakup Krasniqi ishte arrestuar një ditë më herët, më 4 nëntor.
Pas dorëheqjes së Thaçit, detyrën e ushtrueses së presidentit e mori kryetarja e atëhershme e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Më 9 nëntor 2020, Thaçi doli për herë të parë para gjykatësit të procedurës paraprake, ku u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Gjykata Speciale dhe kritikat për trajtimin e luftës së UÇK-së
Arrestimi dhe transferimi në Hagë i katër ish-krerëve të UÇK-së e riktheu në qendër të debatit publik mandatin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale.
Reklamë









