Përgatiti: Nora Luta
Pak para se të bëhet një vit prej kur dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në Gjykatën Themelore të Mitrovicës së Veriut, Liljana Stefanovic e Nikolla Kabashiq janë shkarkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Procedurat disiplinore ndaj ish-kryetares së Gjykatës dhe ndaj udhëheqësit të divizionit të Apelit në veri, kishin nisur vitin e kaluar, kur ata kishin marrë pjesë në organizimet e Listës Serbe kundër vendimeve të Qeverisë.
Vendimin për shkarkimin e Stefanovicit e Kabashiqit, KGJK-ja e kishte marrë në korrik, por asnjëri nuk e shfrytëzoi të drejtën e ankesës në Gjykatën Supreme.
KGJK-ja është duke e hetuar edhe zv.administratorin e Gjykatës në veri, Marko Jakshiq.
Ndërkohë, KGJK-ja ende nuk i ka aprovuar dorëheqjet e pjesës tjetër të stafit të gjykatës.
Sipas kryesuesit, secili që ka konsumuar shkelje disiplinore mund të shkarkohet.
Stevanovic dhe Kabashiq, bashkë me gjyqtarët e tjerë dhe stafin administrativ të Gjykatës, i ishin bashkuar banorëve lokalë në pjesën veriore për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për targa dhe të suspendimit të ish-drejtorit të Policisë për këtë rajon, Nenad Gjuriq, duke dhënë edhe dorëheqje nga pozitat e tyre.
Dorëheqje nga pozitat e tyre më 7 nëntor të vitit të kaluar dhanë edhe zyrtarët policorë të nacionalitet serb dhe ata të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.
Ndërkohë, Stevanovic ishte ndëshkuar edhe kur kishte marrë pjesë vitin e kaluar në takimin e thirrur nga presidenti serb Aleksandar Vucic, në Beograd bashkë me Listën Serbe për të diskutuar rreth situatës në Kosovë.