Familjarët kanë nisur një fushatë në GoFundMe për të mbledhur 25 mijë euro, shumë e nevojshme për trajtimin mjekësor dhe ndërhyrjen që mund t’i shpëtojë shikimin.
Një thirrje për solidaritet po bëhet për Ardit Muqakun, një djalë 9-vjeçar, i cili po përballet me probleme serioze shëndetësore që rrezikojnë shikimin e tij.
Sipas familjarëve, Arditi është një fëmijë i buzëqeshur, i sjellshëm dhe nxënës i dalluar, por së fundmi është përballur me komplikime të rënda në sy që kërkojnë trajtim urgjent dhe të kushtueshëm jashtë vendit.
Dokumentet mjekësore të publikuara në kuadër të fushatës tregojnë se Arditi është trajtuar në Turqi, ku mjekët kanë konstatuar komplikime serioze okulistike, përfshirë keratitin dhe nevojën për trajtim të specializuar, me mundësi të transplantimit të kornesë së syrit.
Për të mbuluar shpenzimet e trajtimit dhe qëndrimit në spital, familja ka hapur një fushatë në platformën GoFundMe me objektiv prej 25 mijë eurosh.
Deri tani, falë solidaritetit të qytetarëve, janë mbledhur mbi 17 mijë euro, që përfaqësojnë rreth 69 për qind të shumës së nevojshme, ndërsa familja shpreson që pjesa e mbetur të sigurohet sa më shpejt.
“Çdo kontribut ka rëndësi”, thuhet në thirrjen e publikuar nga organizatorët e fushatës, të cilët u bëjnë apel qytetarëve, biznesve dhe bashkatdhetarëve që të ndihmojnë sipas mundësive të tyre.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë mund ta bëjnë këtë përmes fushatës së dedikuar në GoFundMe:
Linku për donacion: https://gofund.me/bcb9d6fa2





