Ish-kryeshefja e infermierisë në Ministrinë e Shëndetësisë, Fetije Huruglica, ka reaguar për situatën alarmante të qenve endacakë në kryeqytetin e Kosovës.
Përmes një postimi Facebook, ajo ka bërë thirrje urgjente ndaj institucioneve përgjegjëse për të ndërmarrë masa për mbrojtjen e qytetarëve.
“Me shqetësim të thellë dhe zemërim të madh, po i drejtohem të gjitha organeve kompetente, duke përfshirë Komunën e Prishtinës, institucionet përkatëse dhe shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, për t’i kërkuar veprim urgjent ndaj situatës alarmante që ka marrë përmasa të frikshme në qytet.
Këta qenë, të pa mbikëqyrur dhe shpesh të agresivizuar, kanë shkaktuar shqetësime të mëdha, duke sulmuar dhe lënduar rëndë qytetarët, fizikisht dhe duke na lënë me pasoja afatgjata që për shumë njerëz janë trauma psikologjike”, ka shkruar Huruglica.
Huruglica ka ndarë një përvojë personale, duke treguar se më 2 shkurt të këtij viti është sulmuar rëndë nga një grup i madh qensh në afërsi të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.