Përgatiti: Krenare Mulliqi
Procesi i rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit, më 16 maj pritet të fillojë me kërkesat e Gjykatës së Apelit, e cila e ktheu rastin në rigjykim.
Dy kërkesa të cilat Apeli i kërkoi në këtë rishqyrtim ndaj dy të dënuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, janë dëshmitarë të rinj, por edhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët do të duhej vërtetuar nivelin e mizorisë së vrasjes së 18-vjeçares, siç është thënë.
Kërkesat jo vetëm që po konsiderohen absurde por, avokati mbrojtës i familjes Osmani thotë se njëkohësisht janë vështirë të realizueshme.
“Të çohesh të kërkosh ekspert të mjekësisë ligjore për ta konstatuar mizorinë e vdekjes po besoj që këso eksperti nuk ka pasur asnjëherë në Kosovë edhe është problem me u caktua një gjë e tillë”, tha Gazmend Rexhepi, avokat i familjes së Marigona Osmanit.
Këto kërkesa të Apelit, siç thotë avokati, mund ta detyrojnë familjen që video-incizimet të cilat e dëshmojnë vrasjen të mos mbesin vetëm në sirtarët e Gjykatës.
Marigona Osmani u vra në gusht të vitit 2021, në banesën në të cilën jetonte bashkë me Dardan Krivaqën.
Pas gati 1 viti të gjykimit, Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm, ndërkaq miku i tij i akuzuar i dytë në këtë rast, Arbër Sjediu u dënua më 15 vjet burgim.
Për shkak të disa vërejtjeve Gjykata e Apelit ktheu rastin në rigjykim.





