​Kënd do ta preferonin qytetarët në koalicion qeverisës?

Formimi i qeverisë së re në Kosovë vazhdon të jetë një temë e debatit të gjallë publik pas zgjedhjeve të fundit dhe qëndrimeve të ndryshme të partive politike.

Qytetarët shprehin mendime të ndryshme për mënyrën se si duhet ndërtuar shumica parlamentare, me theks të veçantë në nevojën për stabilitet, bashkëpunim mes partive shqiptare dhe përjashtimin e varësisë nga Lista Serbe.

Hasan Berisha, qytetar, mendon se qeveria e ardhshme e vendit do të ishte më stabile nëse ajo do të formohej nga Lëvizja Vetëvendosje me ndonjërën nga partitë e tjera.

“Ka qenë e natyrshme, LDK-ja me iu bashkëngjit, mirëpo deklarata e djeshme që e dha kryetari i partisë nuk më ka pëlqyer, është politikë me inati, ndryshe duhet formuar sa ma shpejt qeverinë, sipas kushtetutës ajo parti që e fituar shumicën. Po stabile do të ishte, njëra prej partive më të mëdha me iu bashkëngjitur Vetëvendosjes ose PDK-ja ose Lidhja Demokratike ka qenë e natyrshme”, ka thënë ai.

Ndërsa Hajrush Emini thotë se në bazë situatës aktuale është mirë që tri partitë e mëdha të bëjnë koalicion së bashku, dhe të mos varen nga Lista Serbe.

“Jemi në situatë të rëndë në tona anët po na kërcënon Serbia, prandaj sipas mendimit tim është dashur që shqiptarët tri partitë e mëdha në koalicion me krijuar një qeveri me 90 e diçka deputetë shqiptarë, të mos varen prej kurrkujt”, tha ai.

Një tjetër qytetar Mirsad Krasniqi thotë se tani mundësia ka mbetur një koalicion ndërmjet VV dhe PDK-së, por nuk beson se do të jetë stabile.

“LDK-ja definitivisht nuk është, së paku ashtu u deklaruan, tash ka ngelë vetëm me PDK-në. Nuk e di sa është e qëndrueshme me atë, unë prapë mendoj se do të bëhet, por do të jetë shumë në numër jo të madh do të jetë jo stabile”, tha Krasniqi.

Kujtojmë për datën 15 prill është thirrur seanca konstituive e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte paralajmëruar se do të formojë e vetme qeverinë, ndërkohë që partitë e tjera kanë refuzuar mundësinë e koalicionit me partinë fituese.

PDK-ja ka kërkuar që qeverinë ta formojë së bashku me LDK-në, AAK-NISMA e minoritetet, nëse dështon Lëvizja Vetëvendosje të formojë qeverinë.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka pranuar më 8 prill se qeveria e ardhshme është e pamundur të krijohet pa koalicione qeverisëse.

Ai tha se qëllimi i LVV-së ishte të formonte qeverinë vetëm, mirëpo rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit e determinon nevojën për koalicion, andaj edhe iu kanë drejtuar me ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit.

Por, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se qeverinë e ardhshme e formon Lëvizja Vetëvendosje ose shkohet në zgjedhje të reja. Ajo e përjashtoi mundësinë që ekzekutivin e ardhshëm ta formojnë partitë të tjera nëse LVV-ja dështon ta bëjë një gjë të tillë.

Në zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 48 deputetë, PDK-ja 24 deputetë, LDK 20, AAK-NISMA 8. Minoritet kanë 20 vende të rezervuara, prej tyre dhjetë për serbët. Lista Serbe e përkrahur nga Serbia, ka fituar 9 ulëse, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq./

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA