spot_imgspot_img
spot_img

KDI: Vendimi i Kushtetueses për ankesën e Listës Serbe mund ta ndalë formimin e Qeverisë

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë për Ekonomia Online se kërkesa e dorëzuar nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit ka qenë e pritshme.

Sipas tij, Gjykata, në këso rastesh, mund të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e punës së Kuvendit dhe të gjitha veprimeve që lidhen me formimin e Qeverisë së re.

“Veç ka qenë e pritshme sepse është paralajmëruar javë më parë që ky subjekt parlamentar ka me parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, domosdo në këso rrethanash kur jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit. Normalisht që edhe parashtrohet kërkesa që të vendoset masë e përkohshme që të mos ketë pasoja juridike në të ardhmen sa i përket veprimeve që mund të prodhojnë deputetët e Kuvendit, por gjithashtu edhe presidentja si dhe vetë mandatarit për formimin e qeverisë. A do të ketë masë të përkohshme, mbetet me pa nëse e vlerëson të nevojshme Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Zakonisht Gjykata në këto raste vendos ex officio, madje edhe sipas kërkesës së palëve, por edhe në mënyrë zyrtare vendos që të japë masë të përkohshme për të pezulluar efektet, që të themi, veprimet juridike të deputetëve dhe të Kuvendit në tërësi,” ka deklaruar Bugaqku.

Ai ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të pritet brenda ditëve në vijim.

“Unë besoj që këto ditë, ose javën e ardhshme mund të kemi një njoftim nga ana e Gjykatës Kushtetuese nëse eventualisht do të vendoset masa e përkohshme sa i përket ecurisë së mëtejshme të formimit të qeverisë, punës së Kuvendit e të tjerave. Kërkesa është dorëzuar, dhe besoj që kjo kërkesë duhet të trajtohet në një afat sa më të shpejtë në atë mënyrë që të mos lejohet të hyjmë në një fazë tjetër ose të hyjmë në një procedurë tjetër të formimit të qeverisë dhe hipotetikisht nëse veç gjendet që ka shkelje Kushtetuese, atëherë do të duhej Gjykata të vendosë për t’i anuluar të gjitha pasojat ose të gjitha ato veprime që janë zhvilluar si pasojë e shkeljes së Kushtetutës,” ka shtuar ai.

Sipas tij, në rast se Gjykata gjen shkelje kushtetuese, çdo veprim pasues i institucioneve mund të shpallet i pavlefshëm.

“Kështu që i bie që edhe dekreti i presidentes edhe formimi i qeverisë, nëse do të ndodhte, do të mund të anulohej dhe të shpallej si jo kushtetues,” tha Bugaqku.

Ai ka nënvizuar se nuk e ka parë ende ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe, por supozon se ajo lidhet me mënyrën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit.

“Nuk e kam parë ankesën, nuk e di çfarë substance dhe çfarë përmbajtje ka në kërkesën e parashtruar nga grupi parlamentar i tyre, megjithatë po hamendësoj dhe po supozoj që ata janë duke kontestuar mënyrën dhe procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiq, si nënkryetar. Duke u thirrur në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, është e qartë që kandidati që duhet të propozohet nga radhët e komunitetit serb duhet të jetë ai kandidat që të propozohet me shkrim nga shumica e tyre deputetëve të komunitetit serb. Gjykata gjithashtu e ka sqaruar që nëse nuk ka fare propozim, atëherë kryetari i Kuvendit mund ta aplikojë edhe procedurën e shortit, mirëpo në situatën konkrete vërehet qartë që nuk është kandidati i propozuar nga shumica e deputetëve dhe nuk është kandidati i cili i është nënshtruar procedurës së shortit dhe ai rrjedhimisht nuk është i legjitimuar sipas këtyre dy elementeve që i përcakton gjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë përgjigjja finale dhe përfundimtare i mbetet Gjykatës Kushtetuese nëse e vlerëson që kjo është shkelje kushtetuese apo jo, apo edhe gjykata mund të konstatojë që kërkesa është e pabazë dhe rrjedhimisht ta legjitimojë konstituimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht të konstatojë që veprimet e kryetarit të Kuvendit, ku ka propozuar që të votohet Rashiq, janë veprime në përputhje me Kushtetutën dhe Kuvendi konsiderohet i konstituuar,” ka përfunduar Bugaqku.

Një ditë më parë, më 16 tetor, Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe një aktgjykim i mëparshëm i Kushtetueses.

“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme,” thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, pas dështimit të tre raundeve të votimit për kandidatët e Listës Serbe.

Rashiq më herët ka qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, ndërsa Lista Serbe e ka quajtur zgjedhjen e tij “jolegjitime”, duke paralajmëruar se shumica nuk mund t’u imponojë serbëve përfaqësuesit e tyre politikë.

Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re, për të cilën ka 15 ditë afat për ta paraqitur përbërjen dhe programin në Kuvend.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA