Sonte zhvillohet ndeshja e tretë finale e “ProCredit Superliga”, ku Bashkimi do të jetë nikoqir i kampionit aktual, Trepçës, në një përballje shumë të rëndësishme për fatin e serisë finale.
Skuadra mitrovicase vjen në këtë duel me epërsi 2-0 në seri, pasi triumfoi në dy ndeshjet e para të finales. Në takimin e parë, Trepça fitoi me rezultat 93:83, ndërsa në ndeshjen e dytë tregoi edhe një herë forcën e saj duke triumfuar bindshëm me rezultat 94:79.
Për Bashkimin, situata është bërë edhe më e vështirë pas mungesës së lojtarit amerikan Kyan Anderson, i cili nuk do të paraqitet në ndeshjet e mbetura të finales për shkak të një lëndimi. Mungesa e tij konsiderohet goditje e madhe për prizrenasit, pasi Anderson ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës gjatë këtij sezoni.
Në anën tjetër, Trepça synon ta mbyllë serinë sonte dhe të festojë titullin kampion, ndërsa Bashkimi do të kërkojë reagimin para tifozëve vendas për të mbetur në garë për trofeun.
Ndeshja zhvillohet nga ora 19:30 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku pritet atmosferë e zjarrtë dhe interesim i madh i tifozëve për finalen e tretë të elitës së basketbollit kosovar.





