Batllava do të jetë sërish mikpritëse e një prej ngjarjeve më të veçanta të verës në Kosovë. Më 14, 15 dhe 16 gusht 2026, Kayak Fest 2026 rikthehet me një program të pasur që ndërthur sportin, aventurën, muzikën dhe argëtimin, duke pritur pjesëmarrës dhe vizitorë nga e gjithë Kosova dhe rajoni.
Edicioni i sivjetshëm sjell një gamë të gjerë aktivitetesh për të gjitha grupmoshat, me fokus në promovimin e sporteve ujore, turizmit aktiv dhe bukurive natyrore të Liqenit të Batllavës.
Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është “Dardan Race”, një garë sfiduese me pengesa, e frymëzuar nga koncepti i njohur i Spartan Race. Gara do t’u ofrojë pjesëmarrësve një përvojë plot adrenalinë, duke testuar forcën fizike, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë përmes një sërë sfidash.
Në kuadër të festivalit do të zhvillohen edhe garat me kayak, ku sportistë dhe entuziastë të këtij sporti do të konkurrojnë në disiplinat përkatëse, duke promovuar sportin, rekreacionin dhe lidhjen me natyrën.
Mbrëmjet e festivalit do të shoqërohen me një program të pasur artistik. Në skenën e Kayak Fest 2026 do të performojë grupi PINT, i njohur për atmosferën energjike dhe repertorin e tij. Publiku do të argëtohet gjithashtu nga performanca e NRG Band, një nga grupet më të dashura të skenës muzikore shqiptare, si dhe nga interpretimi i këngëtares Nita Latifi, e cila do të sjellë hitet e saj në një atmosferë festive buzë liqenit.
Për ta përmbyllur festivalin në mënyrën më spektakolare, nata e fundit do të kulmojë me performancën e një super DJ-i, identiteti i të cilit do të mbetet surprizë deri në momentin e zbulimit. Organizatorët premtojnë një finale madhështore me energji, ritëm dhe atmosferë që do ta bëjë edicionin e sivjetshëm të paharrueshëm.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët, sportdashësit dhe adhuruesit e muzikës që të bëhen pjesë e kësaj fundjave të paharrueshme dhe të përjetojnë emocionet që sjell Kayak Fest 2026.
Shënoni datat: 14, 15 dhe 16 gusht 2026 – Batllavë. Aventura fillon këtu, ndërsa surprizat ju presin deri në natën e fundit!






