Katër raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Lipjan, Junik dhe Rahovec.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në njërin rast nuk raportohet për të arrestuar kurse tre të tjerët kanë shkuar në procedurë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në Prishtinë raportohet se një grua ka njoftuar Policinë se bashkëshorti i saj ka shkuar tek vendi i saj i punës, ku e ka ofenduar dhe ka tentuar ta sulmojë.
“Prishtinë 16.10.2024-11:00. Ankuesja femër kosovare, ka njoftuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, kishte shkuar te vendi i saj i punës ku ka ofenduar dhe tentuar ta sulmojë. E njëjta deklaron se ka dhunë psikike nga i dyshuari në vazhdimësi. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në njoftim.
Kurse, në Lipjan një ankuese ka raportuar se është sulmuar nga vëllai i saj, kurse rasti shkoi në procedurë të rregullt.
“Lipjan 16.10.2024-21:30. Ankuesja femër kosovare ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga vëllai i saj. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
E në Junik, thuhet se dy vëllezër janë rrahur mes vete, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Junik 15.10.2024-22:20. Raportohet se në rrethana të panjohura janë rrahur mes veti dy vëllezër. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.
Ndërsa, në Rahovec raportohet se një burrë është përleshur me bashkëshorten e saj, të dy i liruan pas intervistimit.
“Rahovec 15.10.2024-08:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshje është përleshur me bashkëshorten e tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi






