Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur fazën e shtatorit dhe tetorit në Ligën e Kombeve me katër pikë, pas një fitoreje, dy barazimeve dhe një humbje.
“Dardanët” e nisën garën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mundur Irlandën me rezultat 1-0 në Prishtinë.
Por vetëm tri ditë më vonë, Kosova pësoi humbje 3-1 në udhëtim ndaj Austrisë.
Sfida e radhës ishte ajo me Izraelin, ku “Dardanët” nuk arritën të shënonin, ndërsa ndeshja përfundoi pa gola.
Në përballjen e katërt, Kosova pati mundësinë të merrte tri pikë ndaj Austrisë në Prishtinë.
Fisnik Asllani shënoi për 1-0 në minutën e 70-të, por Austria reagoi në fund dhe barazoi në minutën e 85-të.
Pas katër ndeshjeve, Austria dhe Irlanda kanë nga tetë pikë, Kosova katër, ndërsa Izraeli dy.
Kjo do të thotë se dy ndeshjet e nëntorit janë vendimtare për “Dardanët”.
Kosova më 14 nëntor pret Izraelin në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë udhëton në Dublin për përballjen me Irlandën.
Objektivi është i qartë, sa më shumë pikë dhe luftë deri në fund për vendin e dytë.
Por këto ndeshje kanë rëndësi edhe për një tjetër arsye. Rezultatet në Ligën e Kombeve ndikojnë në renditjen që do të përdoret për vazot e shortit të Euro 2028.
Aktualisht, projeksionet e vendosin Kosovën në vazon e tretë, por kjo renditje mund të ndryshojë pas dy ndeshjeve të fundit.
Kujtoojmq që shorti për Euro 2028 do të hidhet më 6 dhjetor. Pra, nëntori mund të jetë vendimtar për Kosovën, jo vetëm për fatin e saj në Ligën e Kombeve, por edhe për një short sa më të favorshëm në rrugëtimin drejt Evropianit.





