Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Ndalesa” në Tiranë, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që po transportonte lëndë narkotike me automjet dhe posedonte sende të kundërligjshme në banesë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndalesa”.

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi V. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë.

42-vjeçari u ndalua nga shërbimet e Policisë në zonën e Unazës së Madhe, duke qarkulluar me një automjet, në të cilin gjatë kontrollit u gjetën, në total, 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen.

Më tej, gjatë kontrollit të banesës së tij, iu gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciatorë dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.