Policia në Gjakovë ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur gjatë ditës së mërkurë në rrugën “Yll Morina”.
“Me datën 29 prill 2026, përmes kanaleve zyrtare të Policisë së Kosovës, është pranuar informata për një vjedhje në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë. Njësitë patrulluese i janë përgjigjur thirrjes menjëherë, mirëpo personi i dyshuar (mashkull, i moshës madhore) ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Zyrtarët policorë kanë nisur menjëherë grumbullimin e informacioneve dhe përshkrimit të personit për të bërë të mundur identifikimin dhe lokalizimin e tij”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, në njoftim thuhet se falë reagimit të shpejtë dhe punës operative hetimore, pas një kohe të shkurtër, u arrit të ndalohej i dyshuari në një lokacion tjetër të qytetit.
Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar mjetet që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale, së bashku me mjetet monetare të vjedhura.
I dyshuari B. K., i cili dyshohet se është i përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve, është intervistuar nga zyrtarët e Sektorit të Hetimeve dhe në koordinim me prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë” dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.






