Përfaqësuesi i policit të dëmtuar në rastin “Banjska”- Alban Rashiti, avokati Naim Rudari ka njoftuar se ka ushtruar kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në këtë rast, nën dyshimin se kanë kryer disa vepra penale, përfshirë deklarimin e rremë.
Kallëzimi penal është ushtruar për veprat penale “Ndihma në kryerjen e terrorizmit”, “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”, “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, “Deklarim i rremë” dhe “Manipulimi me prova”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Rudari ka shkruar në Facebook se më 22 dhe 24 korrik 2025 u ftuan të dëgjohen dy dëshmitarë të cilët kanë parë dhe mësuar shumë për rastin dhe anëtarët e grupit terrorist.
Dy dëshmitarët që u dëgjuan në ditët e përmendura nga avokati ishin Rade Nedelkoviq dhe Velko Iliq, ky i fundit ka dëshmuar në seancë të mbyllur. Të kallëzuar penalisht janë edhe Marko Saviq dhe Ivan Filimonoviq.
“Ata, përveç se kishin ndihmuar grupin terrorist që të strehohen në hotelin Rajnska Banja në fshatin Bajnskë, kishin premtuar se personat e armatosur (terroristët) do t’i evidentojnë si punëtorë të hotelit për t’i maskuar që mos të arrestohen, i kanë lejuar që të u japin ndihmë të plagosurve në hotel e më pas duke i zhveshur uniformat për t’i ndërruar me rroba civile ua kanë mundësur largimin nga fshati Bajnskë, kështu këta “dëshmitarë” kanë vendosur edhe në gjykim të DEKLAROJNË RREJSHËM duke mbrojtur kriminelët me dëshminë e tyre e duke u munduar që të mohojnë ato që kishin deklaruar me parë”, shkruan Rudari.
Avokati kërkoi që Prokuroria të hetojë këtë rast, duke shtuar se me hetim do të sigurohen edhe shumë prova për personat që kanë ndihmuar grupin terrorist në Banjskë.